SHBA, zhvillohen zgjedhjet e mesmandatit – Votimi cilësohet një test për presidentin Donald Trump
Pas një fushate përçarëse mbi racën, emigracionin dhe çështjet e tjera kulturore, amerikanët i janë drejtuar kutive të votimit, për të përcaktuar pushtetin në kongresin e SHBA dhe për ti dhënë formë të ardhmes e presidencës së Donald Trump. Zgjedhjet e para kombëtare që kur Trump mori detyrën, cilësohen si një referendum për presidentin polarizues dhe për politikat e tij.
Ndërsa demokratët po përpiqen ta kthejnë lëvizjen anti-Trump në një fitore në kutitë e votimit. Gjatë një tubimi në Indiana, Trump akuzoi demokratët se kanë inkurajuar miliona të huaj të shkelin rregullat e SHBA, duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.
Amerikanët votojnë për të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, që janë 435 ligjvënës në total, për 35 nga 100 anëtarët e Senatit, si dhe për 36 nga 50 guvernatorët e shteteve amerikane.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.