Shefi i FMN-së paralajmëron: Lufta në Ukrainë mund të krijojë ‘më shumë uri’ dhe ‘trazira sociale’!
Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë po kërcënon sigurinë ushqimore botërore, në mes të inflacionit të lartë kronologjik. Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se pasojat e pushtimit rus po kontribuonin në çmimet më të larta të ushqimeve në të gjithë globin, gjë që po kërcënonte mungesën e ushqimit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
“Çmimet e drithit dhe misrit po rriten dhe liderët në të gjithë Afrikën dhe Lindjen e Mesme po më thonë se furnizimet po mbarojnë,” tha ajo në një fjalim të enjten. “Pasiguria ushqimore është një shqetësim i madh.”
Vendet e Lindjes së Mesme blejnë më shumë se 60% të grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, me të dy vendet që përbëjnë 28% të eksporteve globale të grurit para luftës. Por, me shpërthimin e konfliktit, çmimi i grurit është rritur, duke arritur nivele rekord në mars.
Georgieva i bëri thirrje botës që “të veprojë tani me një iniciativë shumëpalëshe për të forcuar sigurinë ushqimore”. “Alternativa është e tmerrshme: Më shumë uri, më shumë varfëri dhe më shumë trazira sociale – veçanërisht për vendet që kanë luftuar për t’i shpëtuar brishtësisë dhe konfliktit për shumë vite,” shtoi ajo.
Georgieva paralajmëroi gjithashtu për “fragmentimin e ekonomisë botërore në blloqe gjeopolitike”, me Perëndimin që vendos sanksione të gjera ndaj Rusisë, ndërsa Kina ka shprehur mbështetje për regjimin rus të Presidentit Vladimir Putin.
“Në një botë ku lufta në Europë krijon urinë në Afrikë; ku një pandemi mund të rrethojë globin me ditë dhe të jehojë me vite; ku emetimet kudo nënkuptojnë rritje të nivelit të detit pothuajse kudo, kërcënimi për prosperitetin tonë kolektiv nga një prishje e bashkëpunimit global nuk mund të mbivlerësohet”, tha ajo.
Georgieva i bëri thirrje botës të mbështesë ukrainasit dhe vuri në dukje se FMN-ja kishte dhënë 1.4 miliardë dollarë (1.29 miliardë euro) në financim emergjent për të ndihmuar Ukrainën të përmbushë nevojat e saj të menjëhershme të shpenzimeve.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.