Shefi i Urgjencës Kombëtare, Brataj thirrje: “Situata e COVID-19 ende delikate. Në fund qershori shohim rezultatet e lehtësimit të masave”
Në “Argument mbrëmjen e sotme ishte i ftuar Drejtori i Urgjencës Kombëtare, z.Skënder Brataj për të folur mbi situatën aktuale të krizës shëndetësore që ka shkaktuar COVID-19. Sipas tij shifrat janë mjaft pozitive dhe Shqipëria ka treguar maturi në respktimin e masave.
Sipas tij delikate është situata pas lehtësimit të masave, ku qytetarët nuk duhet të kalojnë nga një ekstrem në tjetrin.
“Ky është moment që duhet të qetësohemi, por vigjilenca patjetër duhet të jetë në pikën më të lartë. Në këtë moment kemi treguesit më të mirë, sa i përket vdekshëmrisë dhe infeksioneve nga COVID-19. Është moment i lehtësimit të masave, por dihet që virusin e kemi ndër nesh. Duhet ta respektojmë si çdo sëmundje tjetër, nëse nuk duam të biem pre e tij.
Për fatin e mirë Shqipëria nuk ka pasur një infeksion të shtrirë, por ka qenë gjithmonë me vatra nëpër qytete, ku janë gjurmuar rastet dhe bllokuar menjëherë. Kjo është një situatë shumë pozitive.”
“Është e lodhshme karantina që njerëzit kanë kaluar, por nuk duhet të kalojmë nga një ekstrem në tjetër, pasi ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e rregullave, si higjiena, maskat.
Sanatoriumi është në gjendje normale. Spitali për të trajtuar Covid vazhdon të jetë vetëm Infektivi dhe situata është e përballueshme. Në fund qershori do të shohim realisht rezultatin e lehtësimit të masave dhe njerëzit duhet të ndërgjegjësohen se janë ata ruajtësit e shëndetit të tyre.
Edhe hapja e kufijve duhet të jetë e kujdesshme, pasi nëse na vijën të infektuar nga vendet e tjera do të jetë me pasoja. Janë shumë skenarë të kësaj të panjohure, që ne po e njohim hap pas hapi, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në respektimin e masave. ”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.