“Shemben” sërish valutat e huaja – Euro pikiatë në 129.2 lekë. Keq edhe dollari e paundi britanik

Leku ka vijuar maratonën e tij në tregun e këmbimit valutor edhe gjatë ditës së mërkurë duke fituar terren ndaj valutave kryesore të huaja.
Monedha e përbashkët europiane regjistrohet në rënie për të katërtën ditë radhazi dhe i është drejtuar minimumeve rekord të prekura në javët e fundit të muajit Mars. Një euro këmbehet sot për 129.2 lekë dhe blihet për 130 lekë.
Luhatjet e vazhdueshme të kësaj monedhe ka krijuar shqetësime në sipërmarrjen vendase, veçanërisht për ato që eksportojnë apo kanë kontrata me vende të Bashkimit Europian. Ndërkohë, në një deklaratë të mëparshme, Banka e Shqipërisë është shprehur se do të ndërhyjë, vetëm nëse situata do të kthehet në shumë shqetësuese.
Në rënie ditën e sotme regjistrohen edhe të gjitha valutat e tjera. Pasi kishin rikuperuar disa pikë ditën e mërkurë, dollari amerikan dhe paundi britanik humbasin fitimet dhe madje bien nën nivelin e disa ditëve më parë.
Një dollar shitet sot për 105.2 lekë dhe blihet me 106 lekë, duke u ulur me 0.6 pikë krahasuar me shifrat e së mërkurës. Humbjet erdhën në një moment kur në tregjet botërore dollari rifitoi disa pikë, për shkak të lajmit se administrata amerikane është në bisedime me Kinën për të shmangur një luftë tregtare.
Kundër dollarit është rritur për të katërtën ditë radhazi edhe stërlina, por në tregun vendas situata paraqitet krejt ndryshe. Paundi britanik ndodhet sot në pikën më të ulët të 10 ditëve të fundit, pasi ra me 0.7 pikë krahasuar me ditën e mëparshme. Megjithatë pritshmëritë për këtë valutë janë për një ringritje, e cila mund të vijë gjatë muajit Maj, kur Banka e Anglisë të rrisë normën e interesit.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian ra me 0.2 pikë, dollari kanadez ra me 0.2 pikë, ndërsa franga zvicerane ra me plot 0.8 pikë. Franga i është shtuar në këtë mënyrë grupit të valutave që po përjetojnë minimume rekord ndaj lekut dhe në kuotën e 109.2 lekëve, ndodhet në nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.