Shëndeti i bankave – Rriten treguesit e kapitalizimit dhe likuiditetit
Sistemi bankar e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit me parametra në rritje të kapitalizimit dhe likuiditetit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, treguesi më i rëndësishëm rregullator, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të qershorit rezultoi 16.3%, në rritje të mëtejshme nga niveli 15.8% i tremujorit të mëparshëm.
Mjaftueshmëria e kapitalit ngelet mjaft e lartë, duke pasur parasysh se niveli i kërkuar nga Banka e Shqipërisë është 12%. Ky tregues mat raportin mes kapitalit rregullator dhe aktiveve me rrezik të bankave, kryesisht kredive dhe investimeve të tjera.
Kjo tregon se sistemi bankar ka mjaftueshëm kapitale të vetat për të mbuluar rreziqet e investimit të marra përsipër. Rritja e kapitalizimit në tremujorin e dytë të vitit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i kapitalit rregullator të bankave, por njëkohësisht edhe nga ulja e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik. Në nivele po kaq të larta paraqitet edhe gjendja e likuiditetit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti mes aktiveve likuide, me maturim deri në një vit dhe detyrimeve afatshkurtra me të njëjtin maturitet, në fund të qershorit ishte 41.1%. Ky raport është dy herë më i lartë se minimumi prej 20%, i parashikuar në rregulloren për administrimin e rrezikut të likuiditetit.
Një nivel i lartë likuiditeti nënkupton se bankat kanë aftësi të mjaftueshme për t’ju përgjigjur tërheqjeve të mundshme të fondeve të depozituara nga klientët.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.