Shëndeti i biznesit /Të mëdhenjtë rrisin xhirot dhe fitimet, të vegjëlit në rënie

Ndërmarrjet e mëdha duket se po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në ekonominë shqiptare. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të ndërmarrjeve, në gjysmën e parë të këtij viti bizneset e mëdha dhe të mesme regjistruar rritje të shitjeve, ndërsa ato të vogla pësuan rënie të ndjeshme të tyre.
Ndërmarrjet e vogla kanë raportuar rënie të nivelit të shitjeve krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, situata ka rezultuar pozitive për ndërmarrjet e mesme, që i kanë rritur shitjet me 7.1% dhe për ndërmarrjet e mëdha, që i ka zgjeruar ato me 12.5%.
Lidhur me pritshmëritë për nivelin e shitjeve të përgjithshme për gjashtëmujorin e ardhshëm, të tre grupet e ndërmarrjeve paraqiten optimiste, duke pritur një rritje të nivelit të shitjeve.
Rezultatet ecin në mënyrë të ngjashme edhe për ndryshimin e rezultatit financiar në gjysmën e parë të vitit 2019, duke ndjekur ecurinë e balancës së shitjeve të përgjithshme. Kështu, ndërmarrjet e vogla vijojnë të vlerësojnë rënie të rezultatit financiar, me një rënie prej afro 22%, në thellim negativ krahasuar me periudhat e mëparshme. Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha deklarojnë balanca pozitive të rezultatit financiar të tyre gjatë periudhës, respektivisht 3.3% dhe 12.4%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.