Shengen dhe droga – FRONTEX vjen në Shqipëri për menaxhimin e kufijve

Për menaxhimin e migracionit të parregullt nga Shqipëria do të nënshkruhet një marrëveshje me FRONTEX për “Rojën Bregdetare dhe Kufitare”. Kjo marrëveshje do të mundësojë që në të ardhmen të vendosen në Shqipëri ekipe nga Agjencia Europiane e Kufirit dhe Rojës Bregdetare.
Sipas Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj kjo marrëveshje do të bëjë të mundur që vendi ynë të marrë asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve.
“Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve. Ajo do t’i mundësojë gjithashtu Shqipërisë të përfitojë nga projektet që do të japë Bashkimi Evropian, gjatë implementimit të saj”.
Komisioneri për Migrimin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopulos gjatë takimit me Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafa, u shpreh se BE është e gatshme që ta japë fonde për të mbështetur luftën kundër drogës.
Ndërsa referuar migrimit të parregullt Avramopulos u shpreh se duhet të mbrohet me çdo kusht mos cenimi i liberalizimit të vizave.
“Dua të nënvizoj se sot gjithashtu ne nënshkruam një memorandum të rëndësishëm mirëkuptimi që ka të bëjë me luftën kundër drogës. Shqipëria do të ketë mundësi në të ardhmen të ketë akses në fonde për nisma në fushën e politikave kundër drogës. Kam kënaqësinë të them që tashmë do të kemi mundësinë që të mbështesim ato iniciativa që janë të rëndësishme për luftën tonë të përbashkët kundër drogës. Ne duhet që të ulim numrin e personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave. Të gjithë ne duam ta sigurojmë dhe ta ruajmë liberalizimin e vizave.”
Gjatë takimit u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mbi pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Europian, mbështetur në vullnetin e palëve për të zgjeruar objektin e këtij Memorandumi në nisma konkrete në fushën e politikave kundër lëndëve narkotike.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.