Shërbime të reja në Spitalin e Fierit – Hapet Hemodinamika, shefi i shërbimit: Aparaturë e teknologjisë së lartë për ndërhyrjet
Pacientët që kanë probleme me sëmundjet ishemike të zemrës, kardiomiopatitë apo disa sëmundje të tjera kardiologjike do të mund të marrin shërbim në Spitalin Memorial Fier. Në këtë spital është hapur Shërbimi i Hemodinamikës, që bën pjesë në fazën e dytë të hapjes graduale të shërbimeve.
“Jam e kënaqur që arritëm të shtojmë dhe një tjetër shërbim në Spitalin Memorial të Fierit, ashtu sikurse në këto dy muaj në mënyrë periodike janë shtuar shërbimet e reja në këtë spital dhe tashmë vihet në funksion labratori i ri i hemodinamikës, falë investimit të qeverisë turke dhe falë bashkëpunimit me mjekë të nderuar nga Turqia dhe ekipit profesionist të Spitalit të Fierit, të cilët tashmë janë transferuar në këtë spital për të ofruar të gjithë gamën e shërbimit në laboratorin e hemodinamikës”.
Në këtë spital është instaluar një aparaturë e teknologjisë së lartë, i pari aparat i këtij niveli që instalohet në shërbimin publik e që ofron të gjithë gamën e ndërhyrjeve invazive, qoftë për sëmundjet kardiake, qoftë për ato vazale dhe ato neurologjike. Ndërkohë që, shefi i shërbimit të kardiologjisë Dr. Koray Demirtaz, tha se nëpërmjet kësaj aparature është zgjeruar spektri i ndërhyrjeve në Spitalin Memorial Fier.
“Mund te bëjmë edhe ndërhyrje vaskulare duke qënë se ka edhe vetinë neurologjike aparatura, ndërhyrje në aortë, mund të bëjë ndërhyrje vaskulare të komplet arterieve të këmbëve, periferike, mund të bëjmë edhe të arterieve carotis edhe celebrale, diagnostikim neurovaskular, me rritjen e ekipit dhe me neuroradiologët që mund të na vijnë mund të bëjmë shumë procedura”, tha dr. Koray.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që prej hapjes së spitalit Memorial Fier, 1800 pacientë kanë përfituar shërbime dhe janë kryer me sukses 42 ndërhyrje kirurgjikale. Paralelisht po kryehet transferimi i dijes nga ekipi turk, te personeli shqiptar, që tashmë në këtë spital përbën rreth 20% të punonjësve.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.