Shërbimet e administrates – Rama: 535 online, asnjë tolerancë për punonjësit
Nuk do të ketë asnjë tolerancë për punonjës të administratës që nuk garantojnë cilësi shërbimi dhe gjithë dokumentacionin e qytetarit, nga zyra. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama nga Berati, gjatë një takimi me përfaqësues të administratës publike, në kuadër të ofrimit të shërbimeve online. Sipas Ramës, numri i këtyre shërbimeve është rritur deri në 535, duke ulur kostot dhe kursyer kohën e pritjes.
“Nëse për një autorizim, licencë, certifikatë të caktuar duhen edhe disa dokumente të tjera nga zyrat e shtetit, këto dokumente duhet t’i garantoj vetë zyra përkatëse. Nuk i thuhet qytetarit se mungon ky dokument. Të vetmet dokumente që qytetarët duhet të marrin vetë janë dokumenti bankar apo mbi të shkuarën e tyre në emigracion. Dokumentet shtetëror duhet të garantohen nga vetë zyra përkatëse, ku është bërë kërkesa. Kjo nuk po kthehet në sistem në gjithë vendin, ndaj nga të gjithë ministrat u kërkua të marrin masa drastike për çdo drejtues, në çdo zyrë të shtetit që nuk garanton këtë cilësi dhe seriozitet ndaj qytetarëve”, tha Rama.
Rama u ndal dhe tek ndihma ekonomike si mundësi për varfërinë reale. Kryeministri theksoi se 873 familje përfitojnë për herë të parë nga kjo skemë dhe 404 familje janë përjashtuar.
“Skema ka marzhin e vet të gabimit dhe ka raste që kanë dalë nën nivelin ku skema mbyllet. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë bashkive 6 % të fondit shtesë dhe po bëjmë proces rivlerësimi që të mos lëmë askënd pa rivlerësuar. Por eshtë e padiskutueshme që 70 % e atyre që kanë dalë nga skema janë 24- 45 vjeç në formë perfekte për punë
Do të vlerësojmë cdo rast ku ndihma ekonomike është domosdoshmëri për të adresuar varfërinë e thellë të cdo familje. Nëna kryefamiljare me fëmijë janë prioritet. Burrat që duan ndihmë ekonomike le të shkojnë të marrin rrugat e protestave dhe të paguhen nga organizatorët e protesta. Ne ndihmë ekonomike për ta nuk kemi. Le ti grahin protestave se kjo histori duhet të marrë fund një herë e mirë. 300 mijë lekë janë shumë më tepër se 50 mijë lekë që është ndihma ekonomike mesatare. Për parazitëet nuk kemi mundësi të shpenzojmë paratë e marra nga taksat”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek skema e re e mbështetjes për fermerët, ku deklaroi se qeveria ka fondin me të madh, me mbi 100 milion euro. Rama nënvizoi si të rëndësishëm informimin e fermerëve se si mund të kenë akses në këto fonde. Ndërkohe për reformën e ujit, Kryeministri garantoi mbështetje çdo bashkie në funksion të rezultateve të arritura në këtë operacion kombëtar.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.