Shërbimet ndaj qytetarëve, bashkitë s’përmbushin detyrimet
Rregulli e thotë që kryebashkiaku duhet të jetë “shërbëtor” i qytetarëve, si i zgjedhur po nga ata për të kryer një mision të mirëcaktuar, që lidhet me ofrimin e standardeve më të mira të jetesës, përmes përmirësimit të shërbimeve. Por në Shqipëri nuk ndodh kështu. Në të shumtën e rasteve, drejtuesit e qyteteve u gëzohen rehatisë dhe komoditetit të karrikes e zyrës, pa pasur presionin e llogaridhënies ndaj qytetarëve, dhe po ashtu të kërkesave të tyre. Ky është koncepti i përgjithshëm që ka mbizotëruar dhe vijon si “traditë”, në drejtimin e 61 bashkive aktualisht, për shkak edhe të reagimit të zbehtë qytetar.
Rritje të ardhurash, “menaxhim jo i mire” i fondeve
Në tre muajt e parë të vitit 2019, 61 bashkitë në vend rritën ndjeshëm të ardhurat nga taksat kryesisht ajo në infrastrukturë e taksa e pronës, si dhe nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike, ndërsa nga ana tjetër nuk arritën të menaxhojnë mirë fondet. Këtë fakt e vë në dukje raporti i fundit i publikuar për Financat Publike Vendore, (gjendet në uebsiten financatvendore.al) ku theksohet se “në prani të burimeve financiare të shtuara, bashkitë rritën shpenzimet e tyre nën efektin e zgjerimit të shpenzimeve korrente (personel dhe operative).
Referuar draftit në fjalë, gjatë kësaj periudhe, bashkitë mblodhën 5.4 miliadrë lekë vetëm nga taksat dhe tarifat vendore, apo rreth 1.4 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Por ndërsa prania e shtuar e burimeve duhet të ishte një lajm i mirë për qytetarët, mënyra se si ato janë përdorur në terren, nuk ka rezultuar i tillë. Shpenzimet totale me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 12.6 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë të 2019, me një rritje 2 % krahasuar me një vit më parë, ku 8.9 miliadrë lekë shkuan për paga për personelin, sigurime shoqërore, shpenzime zyre, dieta, udhëtime.
Në të kundërt, shpenzimet për investime (me fonde të veta dhe të kushtëzuara) u tkurrën gjatë periudhës në analizë. Çka do të thotë, se taksat e vjelura nga qytetarët, gjatë kësaj periudhe nuk janë përkthyer në ofrim shërbimesh më cilësore, apo mundësi zhvillimi ekonomik përmes gjetjes së mekanizmave me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës, por në shpenzime operative që nuk dalin përtej zyrave vendore. Vetëm 3.7 miliadrë lekë kanë shkuar për shpenzime kapitale, me rënie -1.3 % në terma vjetorë, duke minimizuar fondet për funksionet që lidhen me çështjet ekonomike (ku përfshihet infrastruktura e transportit) dhe “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” (ku përfshihen shpenzimet për strehimin dhe urbanistikë, ujësjellës dhe kanalizime vendore, ndriçimi publik). Sërish në këtë pikë, del në pah orientimi i fondeve pa kriter, aty ku e vendosin vetë kryebashkiakët, dhe mungesa e llogaridhënies për qytetarët.
Pasi ndërsa shpenzimet operative janë rritur me 1.8 % në bazë vjetore, sipas raportit “Shpenzimet për transferta për buxhetet familjare janë regjistruar në ulje me rreth 27.4% në terma vjetorë”. Referuar draftit, mesatarisht, në Shqipëri qeverisja vendore kanalizon mbi 70% të burimeve financiare totale për mbulimin e shpenzimeve korrente dhe rreth 30% për shpenzime kapitale. Në konkluzion të raportit, vetëm rreth 10 bashki nga 61 në total alokojnë më shumë se niveli mesatar prej rreth 29.4% të buxhetit të tyre në investime.
Bashkitë larg “syrit” të komunitetit
Mjafton një kërkim i shpejtë në faqet zyrtare të internetit të 61 bashkive në vend, për të konstatuar një mungesë e theksuar transparence. Në shumë prej tyre, vendimet e Këshillit Bashkiak, që prekin drejtpërsëdrejti cilësinë e jetesës së qytetarëve, janë të pa përditësuara, edhe pse publikimi i vendimeve në kohë është një detyrim ligjor që buron tashmë edhe nga ligji i ri 139/2015 “Për vetë-qeverisjen vendore. Ky fakt evidentohet në bashkitë Blesh, Bulqizë, Cerrik, Dibër, Fier, Këlcyrë etj, ku vendimet e publikuara u përkasin ende muajve të parë të vitit ndërkohë që ndodhemi në tetor. Ka edhe nga ato institucione vendore, si Bashkia Dropull, Gramsh, Malësi e Madhe, Maliq, Memaliaj, Pukë, Tepelenë ku në faqen zyrtare kanë ende buxhetin e vitit 2018, teksa po mbyllet viti 2019 apo bashkia Fushë-Arrëz e Klos, ku gjendet i publikuar projektbuxheti afatmesëm 2020-2022, por jo ai i vitit 2019.
Ndërkaq, Bashkitë Këlcyrë, Konsipol, Libohovë, Përrenjas, Pustec, Sarandë, Vorë, në momentin e kërkimit, rezultojnë që nuk kanë të publikuar asnjë dokument buxhetor. Ndërsa në Bashkinë Himarë, i fundit dokument i publikuar lidhur me buxhetin, i përket vitit 2016. Por ka edhe më keq. Bashkia Selenicë rezulton pa një faqe zyrtare interneti. Nga ana tjetër, lidhur me treguesit e tjerë të domosdoshëm që japin një pasqyrim të punës së bashkive, sërish ka mungesë transparence. Mungojnë raportet e monitorimit, apo në rastet kur gjenden janë të 5-6 muajve më parë apo publikimet e investimeve të kryera. Transparenca në faqet zyrtare është e domosdoshme, në kushtet kur këto institutcione nuk kanë një kanal tjetër më të prekshëm si broshura apo gazetë, për publikimin e punës së tyre.
Vendorët, notë jo kaluese
Nëse do ta vlerësonim me notë, performancën e 61 bashkive në vend nga pikëpamja e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, ato do të “mbeteshin në klasë”. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, i cili ndjek në vazhdimësi punën e pushtetit lokal, shprehet se “bashkitë do t’i vlerësoja me notën jo kaluese, 4. Pasi nuk përmbushin nevojat e qytetarëve në shërbime, qoftë në cilësi, qoftë në sasi. Nuk plotësojnë as shërbimet publike dhe as shërbimet administrative me efektivitet dhe efiçencë”.
Por çfarë duhet të bëjnë më shumë? Në këndvështrimin e z.Haxhimali, drejtuesit e pushtetit vendor duhet të “përmirësojnë shërbimet publike; të sigurojnë më shumë ujë dhe pastrim; të manaxhojnë më mirë taksat; të krijojnë dhe gjenerojnë vende pune; të zgjerojnë bazën e taksapaguesve dhe jo të rrisin nivelin e tyre; të ndërtojnë mekanizma për t’ua lehtësuar shërbimet qytetarëve, qoftë edhe përmes përdorimit të teknologjisë; si dhe më shumë transparencë për qytetarët”.
Afër dhe larg qytetarëve
Me shumë gjasa, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk janë ulur të bejnë një llogari të taksave dhe tarifave vendore që paguajnë, e ndërkohë i’u gëzohen si dhuratave, një rruge të shtruar pranë banesës së tyre, një llampe të ndërruar apo vendosjes së një koshi mbeturinash. Një qytet funksionon më së miri kur të dyja palët i dinë mirë të drejtat dhe detyrimet e tyre. E ndërsa premtimet e fushatave humbasin rrugës, kryebashkiakët harrojnë detyrimet, ndërsa qytetarët të drejtat, duke u lënë terren të lirë qeverisësve lokalë, që t’i përdorin si të mundin dhe si të duan fondet publike.
Ndërsa sa i takon shërbimeve administrative, perfomanca është e ndryshme në çdo bashki dhe kërkon një monitorim më analitik. Megjithatë, gjithnjë ka vend për përmirësim, dhe miti i “karrikes politike” duhet të bjerë një herë e mirë, duke u zëvendësuar me “karriken qytetare”, për të pasur institucione vendore në një nivel përgjegjshmërie dhe transparence që iu përgjigjen kërkesave dhe standardit të Bashkimit Europian, pjesë e të cilit aspirojmë që të jemi. Dhe kjo nuk kërkon vetëm “ndërgjegjen” e bashkiakëve, por një komunitet më aktiv dhe më të informuar mbi të drejtat që ka, në mënyrë që të bëjë presion pozitiv në përmbushjen e detyrave nga ana e drejtuesve lokalë.
Si ofrohen shërbimet më të mira?
Për të parë mundësitë që drejtuesit vendorë të përmirësojnë punën e tyre, paralelisht duhen analizuar problematikat. Prej vitesh, pavarësisht ndryshimit te flamujve politikë, mentaliteti i të qeverisurit fatkeqësisht nuk ka ndryshuar shumë. Fushata, premtime dhe mungesë llogaridhënie. Vendimarrja e Bashkive është e shkëputur nga shoqëria, dhe teksa duhet ta rendisin të parin qytetarin, i vendosin vetë prioritetet pa analiza, pa konsultime dhe pa transparencë. Çfarë duhet bërë që qytetarët të marrin mbrapsht të paktën të mirat materiale që u takojnë nga taksat e tyre? Në krye të listës do të rendisja dëgjesat publike gjatë hartimit të buxheteve vjetore, në mënyrë që të prioritizohen investimet sipas rëndësisë, si dhe dëgjesa qytetare në fund të vitit për të dhënë llogari mbi perfomancën e bashkisë dhe mënyrën se si u shpenzuan paratë.
Edhe pse është detyrim ligjor, kjo praktikë vështirë se gjen zbatim në terren, madje në Shqipëri duket si një gjë e huaj. Por zbatimi i kësaj praktike do të rriste besimin qytetar, transparencën dhe do të nxiste më shumë pagesën e taksave dhe tarifave vendore. Po ashtu, mbledhjet e Këshillit Bashkiak duhet të jenë të hapura për qytetarët dhe duhet të zhvillohen rregullisht çdo muaj. Duke thirrur grupe të ndryshme qytetarësh, në bazë profesioni, si mjekët, mësuesit, edukatorët, etj, por edhe në bazë lagjesh, bashkia do të njihej më nga afër me problematikat reale të qytetit dhe do të kuptonte më mirë çfarë perceptojnë qytetarët si prioritete dhe kush janë nevojat kreyesore të tyre. Sipas legjislacionit në fuqi, “Mbledhjet e këshillit janë të hapura për publikun.
Çdo shtetas lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet publik në vende të caktuara për këtë qëllim brenda territorit të njesisë vendore dhe përmban datën, vendin, orën dhe rendin e dites së mbledhjes. Me kërkesën e kryetarit të bashkisë ose të një të pestës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, mbledhjet e këshillit mund të bëhen të mbyllura, kur për këtë kanë votuar jo me pak se tre të pestat e gjithë anëtarëve të tij”. Dhë në këtë pikë, vetë ligji lë hapsirë zgjedhjeje për Këshillin Bashkiak, çka bën që mbledhjet të organizohen më së shumti në mënyrë të mbyllur, por edhe kur janë të hapura, komuniteti nuk ka të drejtë fjale apo propozimi. Elementi i tretë janë takimet me qytetarët.
Çdo të Premte, kryebashkiakët e kanë ditë pritjeje me qytetarët, takime te cilat me së shumti kanë në thelb kërkesa për punë, duke harruar që Bashkia nuk është zyrë punësimi. Në këtë pikë, takimet me grupime qytetarësh ku ngrihen diskutime, problematika do të ishin më të frytshme. Ndërkaq, kur pretendohet se 98 për qind e vendit është e mbuluar me internet, jo të gjithë qytetarët kanë akses në këtë rrjet, në një kompjuter apo një telefon të mençur, çka do të thotë se nuk janë të informuar me atë çfarë ndodh në institucionin e bashkisë së qytetit të tyre. Po ashtu, një pjesë e mirë e bashkive nuk janë korrekte me zbatimin e ligjit, pasi nuk publikojnë buxhetet e detajuara apo investimet e kryera. Një dritare ankesash/kërkesash dhe ngritje problematikash do të ishte e frytshme për ata që hezitojnë të marrin pjesë fizikisht në diskutime.
Ndërsa për pjesën tjetër, përfaqësues të pushtetit, ashtu sikurse deputetët, e kanë domosdoshmëri të punës që të vizitojnë fshatra e lagje të qytetit të tyre, në mënyrë që të prezantojnë iniciativat që ndërmarrin dhe të njihen në terren me problemet e banorëve, duke qenë se shkrirja e komunave e ka larguar pak institucionin e bashkisë sa i takon dhënies së shërbimeve dhe ka një trajtim të pabarabartë midis atyre që jetojnë në qytet dhe atyre që jetojnë në periferi. Sondazhet se si duhet t’i orientojnë me mirë fondet dhe çfarë duhet të përmirësojnë në punën e tyre gjatë qeverisjes së qytetit, do të ishin sërish një mjet funksional për t’i shërbyer më mirë komunitetit. Qytetari është e duhet të jetë i pari dhe fushata zgjedhore nuk duhet të jetë takimi i tij i parë dhe i fundit me kryetarin e bashkisë apo anëtarët e këshillit bashkiak.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.