Shërbimet online për rezervimin e pushimeve – Komisioni Europian: 235 portale me shkelje

Kur vjen puna për të rezervuar hotelin dhe fluturimin online, konsumatorët po përballen me një numër në rritje të shqetësimeve ndaj shërbimeve online. Tashmë këto ankesa të tyre zënë peshën më të madhe në qendrat europiane të konsumatorëve.
Sipas një hetimi të Bashkimit Europian, në një të tretën e hoteleve të marra në analizë, çmimi i paraqitur në një shërbim online nuk është i njëjtë me çmimin përfundimtar. Pra shumica e turistëve që rezervojnë në shërbime si Booking, paguajnë më tepër se sa po të kishin rezervuar drejtpërdrejt.
Në një të pestën e rasteve, ofertat promocionale të shfaqura në internet nuk janë të disponueshme; ndërsa 25% e këtyre portaleve gënjejnë kur shkruajnë “edhe 2 dhoma të mbetura”, ose “e vlefshme vetëm sot”.
Tashmë 235 website-et e konstatuara me shkelje do të duhet të korrigjojnë gabimet, ndërsa shtetet do të përforcojnë masat shtrënguese për ta reduktuar si fenomen.
Mbi 80% e konsumatorëve europianë përdorin portale ku mund të krahasosh çmimet, ndërsa 5 nga 10 prej tyre e përdorin këtë shërbim të paktën një herë në muaj. Trendi është vazhdimisht në rritje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.