Shërbimi i Urgjencës në spitalin e Beratit, me godinë të re. Beqaj: 4.8 mln euro pajisje mjekësore për 11 spitalet rajonale

Spitali rajonal i Beratit do të këtë së shpejti një godinë tërësisht të re moderne të shërbimit të Urgjencës Mjekësore. 300 milionë lekë është fondi i parashikuar për këtë investim, i cili përfshin zgjerimin e mjediseve, përshtatjen e mjediseve të brendshme sipas teknologjisë mjekësore të shërbimit të urgjencës, si dhe furnizimi me pajisjet mjekësore të nevojshme për të shërbyer në urgjencë.
Ministri i Shëndetësisë, Beqaj, i shoqëruar edhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Klosi dhe deputetë të qarkut të Beratit, ishin në spitalin rajonal të këtij qyteti ku panë nga afër mjediset ku do të realizohet ky investim si dhe u njohën me projektin e parashikuar.
“Bashkë me riorganizimin e flotës në territor, me përqendrimin e komandës dhe dekoncentrimin e vendndodhjes së autoambulancave, sigurisht ishte e domosdoshme edhe përmirësimi i ndjeshëm i mjediseve në urgjencën pritëse. Janë 300 milionë lekë, nga buxheti i shtetit për vitin 2017, që do të zgjerojnë mjediset, do të përshtatin mjediset e brendshme sipas teknologjisë mjekësore të një shërbimi të urgjencës, do të furnizohen dhe pajisjet mjekësore të nevojshme për t’i shërbyer urgjencës”, u shpreh Ministri Beqaj, duke theksuar se “infrastruktura, pajisjet, furnizimi, teknologjia dhe burimet njerëzore do të mund të rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit në spitalin Rajonal të Beratit”.
Afro 35 mijë qytetarë marrin shërbimin në urgjencën e spitalit rajonal të Beratit gjatë gjithë vitit dhe në saj të këtij investimi, u shpreh Beqaj, ata do të shërbehen më me cilësi dhe në një mjedis shumë më të mirë.
“Kjo urgjencë trajton rreth 35 mijë vetë në vit, trajton rreth 100 veta në ditë, domethënë këta 100 veta në ditë do të shërbehen më me cilësi, më mirë, po do të ketë dhe një mjedis shumë më të mirë edhe për të komunikuar me ata që shoqërojnë pacientë të ndryshëm, me familjarët, por edhe besojmë se, pastaj, lidhja e brendshme e urgjencës me pjesët e tjera të spitalit do të jetë edhe ajo një element shumë i rëndësishëm”, tha Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur gjithashtu, se “këto janë 300 milionë që po investohen në urgjencë dhe njëherësh spitali rajonal i Beratit, ashtu si spitalet e tjera, brenda verës do të furnizohet edhe me pajisje të tjera mjekësore sepse është një fond prej 4.8 milionë eurosh që po furnizon me pajisje mjekësore 11 spitalet rajonale të vendit”.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.