Shërbimi “online” në Gjendjen Civile – Ministria e Brendshme, tender në vlerën e mbi 170 mln lekëve

Ka mbetur më pak se një javë, ku të gjithë qytetarët duhet të regjistrohen me adresat që kanë pranë gjendjes civile, që i korrespondon vendbanimit të tyre. Nëse qytetarët nuk e bëjnë një deklarim të tillë, do të jenë të detyruar që të paguajnë një gjobë në vlerën e 10 mijë lekëve në rastin e parë që do t’i drejtohen gjendjes civile, për të tërhequr një certifikatë.
Për të qenë sa më efikas, shërbimi i gjendjes civile do të ofrohet “online”, në të gjithë vendin. Në këtë periudhë, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur njoftimin për organizimin e një tenderi për ndërtimin e “Rrjetit të komunikimit online të shërbimit të Gjendjes Civile”. Fondi limit është mbi 170 milionë lekë pa TVSH, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës do të jetë 21 muaj nga momenti i lëshimit të sinjalit të komunikimit.
Ky tender do të organizohet më 11 gusht dhe do të shpall një fitues i cili do të mundësojë ofrimin e komunikimit “online” në Gjendjen Civile. Shërbimi do të ofrohet i shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë që sistemet qendrore të përpunimit të të dhënave ku do të ofrohet dhe shërbimi i internetit janë të lokalizuara në godinën e MPB dhe AKSHI-t.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.