“Sherr ballkanik” – Serbia kritikon Malin e Zi për mos hapjen e kufijve me fqinjin e tij
Mali i Zi, vendi i parë europian që shpallet i lirë nga koronavirusi, planifikon të hapë kufijtë e tij për qytetarët e disa vendeve europiane, përveç ish aleatit, Serbisë – duke krijuar zemërim të martën tek zyrtarët serbë.
Kryeministri i Malit të Zi tha të hënën kufijtë e saj do të hapen më 1 qershor për qytetarët e vendeve që plotësojnë kriteret e hyrjes të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore të Malit të Zi: të ketë së paku 25 pacientë COVID-19 për 100,000 banorë.
Kryeministri Dusko Markoviç tha se shtetet që plotësojnë kriteret janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia. “Ne do t’i hapim kufijtë vendeve që kanë një status të ngjashëm epidemiologjik,” tha ai. “Ne nuk do të kërkojmë teste speciale, të gjithë do të marrin udhëzime të qarta se çfarë i presin në vend dhe cilat rregullore duhet të respektojnë.”
Markoviç nuk e përmendi Serbinë fqinje, duke shkaktuar një reagim të zemëruar nga Beogradi – edhe pse Serbia nuk konfirmon se i plotëson kriteret e hyrjes në Malin e Zi. Serbët tradicionalisht janë vizitorët më të shpeshtë në Mal të Zi, kryesisht për turizëm.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç e quajti vendimin e Malit të Zi “qesharak” dhe të motivuar politikisht dhe Kryeministrja serbe Ana Brnabic tha se kjo tregon se serbët nuk janë të mirëpritur në shtetin Adriatik. Të dy thanë që Serbia tani nuk do të prezantojë masa reciproke.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha që “ndalimi” i Malit të Zi do të nxisë më tej ndjenjën anti-serbe. “Qeveria në Mal të Zi nuk po lufton kundër virusit, po lufton kundër serbëve,” tha Vulin të martën.
Rasti i fundit i regjistruar i koronavirusit në Mal të Zi ishte rreth tre javë më parë. Vendi u deklarua i lirë nga COVID-19 të Dielën.(AP)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.