Sheshi “Skënderbej”, “zona bio” për tre ditë – Panairi, 40 agrobiznese dhe prodhues ekspozojnë produkte vendase

Sheshi Skënderbej për tre ditë me radhë është kthyer në zonën më bio të kryeqytetit, ku mbi 40 agrobiznese dhe prodhues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ekspozojnë produktet e tyre për qytetarët, duke qenë më pranë konsumatorëve dhe duke i njohur ata më në detaj me prodhimet lokale.
Produktet janë të një game të gjerë, nga ato alkoolike, tek bimët mjekësore, vajrat esenciale, fruta dhe perime të përpunuara, produkte bulmeti, artizanale etj. Ndërkohë që interesi nga konsumatorët ka qenë i lartë.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka u shpreh se kjo është një mundësi për të gjithë qytetarët për të konsumuar shqip, për të përqafuar produktet vendase dhe për të mbështetur rritjen bizneseve dhe prodhuesve shqiptarë.
Panairi “Agro Fest” tashmë është kthyer në traditë, pasi organizohet çdo vit dhe është një pikëtakimi midis konsumatorëve dhe prodhuesve, si dhe mundësi për bizneset për të lidhur bashkëpunime me njëri-tjetrin.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.