“Shfajësohet” Carney – Thotë se mesazhi për normat e interesit nuk është keqkuptuar
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se banka qendrore nuk ka shkaktuar konfuzion te investitorët dhe ekonomitë familjare më herët gjatë muajit, ku nuk rriti normën bazë të interesit. Gjatë muajit Shkurt, Banka e Anglisë bëri të ditur se tkurrja monetare do të ndodhë më shpejtë se sa prisnin investitorët, duke bërë që tregjet financiarë të projektonin një rritje të normës bazë në takimin e muajit Maj.
Carney tha në Parlament se ngadalësimi i ekonomisë gjatë tremujorit të parë, ku moti ekstrem pati një ndikim, është i përkohshëm. Ndërkohë që investitorët kanë ulur pritshmëritë për ndonjë ndërhyrje nga Banka e Anglisë, Carney tha se sipas sondazheve, ekonomitë familjare dhe bizneset presin gjerësisht një rritje të normave të interesit këtë vit, ndjekur nga ndërhyrje të tjera më graduale pas kësaj. Guvernatori ka sinjalizuar edhe më parë momentin kur normat e interesit do të rriten, por ka devijuar nga planet e tij prej të dhënave të papritura ekonomike.
Carney u shfajësua duke thënë se mesazhi i tij kryesor, se normat e interesit do të rriten në mënyrë graduale, është ende i vlefshëm. Më herët gjatë javës, disa anëtarë të bordit të politikave monetare, bënë të ditur se norma bazë e interesit pritet të rritet me 25-50 pikë bazë në vit, gjatë periudhës së projektuar. Paundi britanik, që preku nivelin më të ulët në 5 muaj kundër dollarit ditën e Hënë, u rrit lehtë kundër euros dhe valutës amerikane, pas komenteve të guvernatorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.