“Shfryhen” dëmet – Rritja e muajve të parë të vitit në zbehje

Dëmet në tregun e sigurimeve po stabilizohen, pas rritjes së shpejtë gjatë muajve të parë të vitit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rritja e dëmeve u frenua gjatë muajit korrik.
Për gjithë shtatëmujorin, dëmet janë rritur me 30% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Rritja e dëmeve po shfryhet gradualisht, po të kemi parasysh se për gjashtëmujorin rritja kishte qenë 44%, ndërsa për pesëmujorin 60%.
Raporti mes dëmeve dhe primeve është ende më i lartë se nivelet tipike të tregut shqiptar të sigurimeve, me rreth 35%, megjithatë, edhe ky tregues po bie gradualisht.
Rritja e dëmeve të paguara në muajt e parë të vitit lidhej sidomos me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga vitet e mëparshme. Pas këmbënguljes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe një vendimi që kërkonte pagesën e dëmeve të vjetra që i takojnë Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, kompanitë kanë shlyer një pjesë të madhe të këtyre detyrimeve.
Dëmet dominohen nga sigurimet e detyrueshme motorike, me më shumë se gjysmën e vlerës totale të paguar nga siguruesit në shtatë muajt e parë të vitit. Por, një rritje e lartë e dëmeve të paguara është regjistruar edhe në disa prej klasave të sigurimit vullnetar, si sigurimi ndaj dëmtimeve në pronë, sigurimi i aksidenteve dhe sigurimi i shëndetit.
Për sa i takon primeve, tregu i sigurimeve ngelet në rritje, me rreth 11% krahasuar me shtatëmujorin e parë të vitit 2016. Sigurimet e detyrueshme motorike dominojnë strukturën e primeve, me mbi 64% të totalit.
Disa prej klasave të sigurimit me rritje të lartë të primeve janë sigurimi ndaj dëmtimeve në pronë apo sigurimi i aksidenteve. Ndërkohë, tregu i sigurimit të jetës regjistroi një rritje ndjeshëm më të lartë se mesatarja e tregut, me afro 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, pesha e jetës në tregun e sigurimeve ngelet relativisht e ulët, me më pak se 8% të primeve totale.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.