“Shfryhet” rritja ekonomike – INSTAT: Në 2014 ishte 1.77%, në 2015 2.23%
Në vitet e fundit, ekonomia shqiptare është rritur më pak nga ato që kishin qenë vlerësimet paraprake. Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën të dhënat finale për Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2014 dhe ato gjysmë-finale për vitin 2015.
Sipas INSTAT, për vitin 2015, ekonomia shqiptare u rrit me 2.23%, ndërkohë që vlerësimi i mëparshëm, mbështetur në statistikat tremujore, kishte qenë për një rritje ekonomike vjetore prej 2.61%.
Në përmasa të ngjashme është korrektimi i rritjes ekonomike për vitin 2014. Në raportin statistikor paraprak, INSTAT raportoi një rritje ekonomike prej 2.02%. Ndërsa në të dhënat finale, rezulton se rritja ekonomike e vitit 2014 në fakt ishte vetëm 1.77%.
Për vitin 2016, të dhënat e para të INSTAT treguan një rritje 3.46%, megjithatë rritja finale do të dalë vetëm pas dy vjetësh.
Revizionimi i të dhënave të Prodhimit të Brendshëm Bruto, deri në raportet finale, është një proces normal në përgatitjen e statistikave. Në të njëjtën mënyrë veprojnë edhe Eurostat dhe institucionet e specializuara për statistika në vendet e tjera. Kjo ndodh për shkak se llogaritja e saktë e prodhimit të brendshëm bruto është një proces voluminoz, që kërkon punë disavjeçare.
Megjithatë, ajo që bie në sy gjatë viteve të fundit është se të dhënat finale, përgjithësisht, nxjerrin vlera më të ulëta nga vlerësimet paraprake. Pa paragjykuar punën e INSTAT, ky mund të jetë tregues i një trysnie politike, direkte apo indirekte, për shifra sa më pozitive të rritjes ekonomike.
Ajo që mund të thuhet sot është që, ndonëse rimëkëmbja graduale e rritjes ekonomike konfirmohet, kjo rimëkëmbje realisht ka qenë më e ngadaltë nga sa statistikat e para tregonin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.