Shfrytëzimi i diellit për prodhim energjie!Projektet për centralet e mëdha, sfida për uljen e varësisë nga uji
Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa konkretë në drejtim të shfrytëzimit të diellit si burim për prodhimin e energjisë elektrike, teksa ka hapur një ankand për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Spitallës dhe ka finalizuar të gjitha proceduart për një central të madh në Karavasta.
Nëse këto impiante hyjnë të prodhim, atëhere kapaciteti gjenerues në vend do të rritet me 240 MW, thuajse i barabartë me hidrocentralin e Vaut të Dejës, që zë 18.5% të kapacitetit total të Kaskadës së Drinit, që administrohet nga KESH.
Megjithatë, hyrja në prodhim e këtyre impianteve do të kërkojë kohë, teksa aktualisht portofoli i “energjisë diellore” mbetet në nivele tejet të ulëta. Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është një domosdoshmëri për vendin tonë, duke qenë se aktualisht prodhimi i energjisë në vend varet thuajse tërësisht nga burimet ujore. Kjo bën që në periudha thatësirash, të kemi importe të larta të energjisë që shoqërohet me fatura tejet të kripura për financat publike.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë, 2019-a shënoi një ndër vitet me importin më të lartë gjatë 10 viteve të fundit si pasojë e thatësirës, duke nxjerrë edhe një herë në pah nevojën për shfrytëzimin e burimeve të tjera të prodhimit të energjisë, sikurse është dielli apo era.
Ndërkaq, edhe viti 2020 nuk ka qenë shumë i favorshëm nga pikëpamja hidrike, teksa për plotësimin e nevojave konsumatore, deri në datën 22 nëntor janë shpenzuar 86 milionë euro për blerje energjie, sipas të dhënave të përpunuar nga ‘Scan Magazine’. Këto fatura të kripura për blerje energjie përforcojnë edhe më shumë nevojën për zhvillimin e projekteve alternative, përveç hidrocentraleve.
PARK FOTOVOLTAIK NË SPITALLË
Në mesin e muajit nëntor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Spitallës, duke synuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Hapja e kësaj gare ishte thuajse surprizë, pasi ky projekt nuk ishte prezantuar më herët, por autoritetet shpjeguan se shkak u bë interesi i shtuar i investitorëve, por edhe suksesi i arritur në ankandin e zhvilluar për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë.
“Pas ankandit të Karavastasë, ne kemi vazhduar me kërkesa shumë të mëdha nga investitorët e huaj, të cilët kryesisht janë ata që kanë mundësitë financiare dhe kapacitetet për të investuar në parqe kaq të mëdha, ndaj dhe vendosëm që të nisim menjëherë këtë proces”, tha ndër të tjera ministrja Belinda Balluku, gjatë hapjes së ankandit. Parku Fotovoltaik i Spitallës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh dhe do të ketë një kapacitet prodhues prej 100 megavatësh. Ky park do të ngrihet në zonën industriale të Bashkisë së Durrësit, e cila sipas ministrisë është vlerësuar si një zonë me një rrezatim të lartë për të plotësuar kapacitet prodhuese të parashikuara.
“Parku i Spitallës ndodhet në një zonë pa ndikim mjedisor dhe ky është një fakt shumë i rëndësishëm për ngritjen e një parku fotovoltaik, pasi nuk do të ndikojë në mjedisin e zonës ku ndërtohet, duke qenë se ajo është një zonë e destinuar prej vitesh si një zonë industriale”, shpjegoi ndër të tjera Balluku. Sipas skemës së përzgjedhur, 70 MW të kapacitetit pordhues të këtij parku do të blihen nga OSHEE dhe 30 MW do të mund të tregtohen në treg të lirë nga kompania fituese.
Ndërkaq, referuar procedurave të ankandit, do të jetë gara ajo që do të përaktojë çmimin me të cilin Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të blerjë energjinë nga prodhuesi, ndërkohë që tavani i vendosur është 55 euro/MW, çka do të thotë se dhe nuk pranohet asnjë ofertë mbi këtë shumë”. Ofertat për këtë ankand do të pranohen deri në datën 1 shkurt 2021, ndërkohë që pas vlerësimit të kritereve parakualifikuese dhe teknike si dhe kohës së ankimimeve, në datën 2 mars 2021 do të bëhet hapja publike e ofertave dhe shpallja e kompanisë fituese.
KARAVASTAJA, GATI TË NISË PUNIMET
Teksa parku i Spitallës është ende në fazën e ankandit, centrali i Karavastasë është gati për nisjen e punimeve. Fituese për zhvillimin e këtij projekti është shpallur kompania Voltalia, me kapital 100% francez, ndërkohë që kapaciteti i instaluar për këtë park fotovoltaik do të jetë 140 MW. Ai do të jetë dhe centrali i parë i madh energjetik në vend që do të prodhojë energji nga dielli, ndërkohë që çmimi i ofertuar nga francezët ishte 24.89 euro/MW, ndonëse qeveria pati vënë si tavan 55 euro/MW.
Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar i garanton kompanisë blerjen e energjisë elektrike për një periudhë 15-vjeçare për 70 MW, ndërkohë që 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen në treg të lirë.
Autoritetet e kanë konsideruar këtë çmim si rekord, jo vetëm në rajon, por edhe për vende ku rrezatimi diellor është më i lartë se ai shqiptar. “Karavastaja” do të jetë parku më i madh solar në Ballkan, ndërsa do të ndërtohet në zonën e Divjakës dhe të Fierit, përmes një investimi tërësisht privat që do të kapë shifrën e mbi 100 milionë eurove.
Kontrata do të ketë një afat 30-vjeçar, çka do të thotë se pas kësaj periudhe vepra do i transferohet shtetit shqiptar. Zyrtarisht, autoritetet kanë pohuar se me kompaninë Voltalia tashmë është firmosur edhe marrëveshja e fundit, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve që do të zgjsin 2 vjet.
ANULOHET AKËRNIA
Ndërkaq, një tjetrë projekt për shtimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë, që është parku fotovoltaik në Akërni tashmë është anuluar, pohuan përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ‘SCAN Magazine’.
Fituesi për ndërtimin e këtij impianti u shpall në muajin nëntor të vitit 2018, por palët nuk arritën të nënshkruajnë një kontratë, që t’i hapte rrugë investimit. Megjithatë, ajo që vlen të theksohet është fakti se çmimi me të cilin qeveria do garantonte blerjen e energjisë për impiantin e Akërnisë ishte dukshëm më i lartë se ai i Karavastasë.
Kjo pasi, konsorciumi i përbërë nga 3 kompani (India Power Corporation ltd e regjistruar në Indi, Mininig Resources FZE, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Midami Limited, e regjistruar në Hong Kong) u shpall fitues i ankandit me një vlerë prej 59.9 euro/MW apo 35.01 euro/MW më shtrenjtë se parku i Karavastasë. Sipas skemës së shpallur në vitin 2018, ky çmim garantonte blerjen e energjisë për 15 vjet për 50 MW, ndërkohë që 50 MW të tjerë do të mund të tregtoheshin në treg të lirë. Në atë kohë, ministria që drejtohej nga Damian Gjiknuri e konsideroi çmimin e ofertuar si një nga çmimet më të ulëta në rajon si dhe më e ulët në raport me çmimin e mesatares së importit.
INTERES EDHE NGA PRIVATËT
Paralelisht me projektet shtetërore, edhe sektori privat ka shfaqur interes për këto lloj investimesh. Gjatë muajit nëntor, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbërriti një aplikim për ndërtimin e një centrali për prodhimin e energjisë nga dielli me kapacitet të instaluar 50 MW, në Zonën Sheq Marinas në Bashkinë e Fierit. Apilikimi është bërë nga Bashkimi i Përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment” dhe “Matrix Konstruksion”, ndërkohë që nëse projekti miratohet ai nuk do të mund të përfitojë nga masat mbështetëse që parashikon ligji “Për energjinë e rinovueshme”.
Nëse e gjithë procedura finalizohet me sukses, ky do të jetë centrali i parë privat me një kapacitet të madh të instaluar. Kjo pasi aktulaisht janë vetëm 8 centrale të vegjël deri në 2 MW, që kanë hyrë në prodhim, ndërkohë që sasia e energjisësë prodhuar prej tyre për 8-mujorin zuri vetëm 0.63% të totalit, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas këtij dikasteri, prej muajit mars të këtij viti numri i impanteve që prodhojnë energji nga dielli ka arritur në 8, me një fuqi totale të instaluar prej 16 MW, çka ka sjellë edhe një rritje të prodhimit të energjisë nga ky burim, ndonëse nuk përbën të dhëna domethënëse në drejtim të shftytëzimit të energjisë diellore. Shifrat e 8-mujorit tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 23 471 mëh energji, me një tendencë në rritje nga muaji në muaj. Ndërkohë, për tremujorin e tretë të vitit, nga centralet e vegjël u prodhua 10.440 mwh energji, sipas INSTAT.
Nga Ola Mitre/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.