Shfrytëzimi i kapaciteteve – Nuk ka rritje domethënëse në tremujorin III
Normat e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset nuk regjistruan rritje të rëndësishme në tremujorin e tretë të këtij viti.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, normat më të larta të shfrytëzimit të kapaciteteve i kanë sektori i industrisë dhe i shërbimeve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri ra me 0.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar rreth vlerës 74.0%.
Megjithatë, kjo normë mbetet 1.7 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Në sektorin e shërbimeve rezultoi rreth 73.0%, 1.3 pikë përqindje më lart nivelit të tremujorit të mëparshëm. Megjithatë, ajo mbetet 3.4 pikë përqindje nën mesataren historike të shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve.
Sektori i ndërtimit ka pasur përmirësime të ndjeshme të shfrytëzimit të kapaciteve në vitet e fundit, megjithatë, për tremujorin e tretë, norma e shfrytëzimit qëndroi rreth 62.9%, pothuajse sa norma mesatare e shënuar gjatë gjysmës së parë të vitit.
Megjithatë, kjo normë mbetet 1.2 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti qëndroi rreth vlerës 69.7%, 1.6 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë.
Kjo normë mbetet 7.3 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Ndonëse të dhënat mbi shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese mbështeten në vrojtime, tremujori i tretë nuk paralajmëron ecuri shumë pozitive në drejtim të ngushtimit të hendekut të prodhimit dhe përshpejtimit të ritmeve të rritjes ekonomike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.