Shfrytëzimi i TAP dhe rrjetit të gazit – MIE miraton kushtet për aksesin në rrjetet e tubacioneve

“Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, ky është parimi jodiskriminues përmes të cilit zotëruesit e gazsjellësit do të lejojnë akses në rrjetet e tubacioneve të kërkim-prodhimit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka miratuar kushtet për aksesin në rrjetin e gazit natyror në vend, projekt i cili do të marrë jetë me transportimin e gazit të parë përmes TAP në vitin 2020.
Vendimi prek si gazsjellësin Trans-Adriatik, ashtu edhe tubacionet që do të ndërtohen në të ardhmen në pronës të “Albgaz” apo të kompanive të tjera private që do të licencohen për transmetimin e gazit.
Zotëruesit e rrjeteve të kërkim-prodhimit do të regjistrojnë pranë MIE të dhënat si kapaciteti në dispozicion për akses në rrjetet e tubacioneve dhe kapacitetet e rezervuara. Më pas ky informacion do të duhet të publikohet në faqen online të kompanisë dhe do të përditësohen pas çdo kontrate të miratuara nga ministria.
Kërkesa për akses në këto rrjete duhet t’i dorëzohet zotëruesit të gazsjellësit në formë të shkruar ose elektronike. Që nga momenti i marrjes së kërkesës zotëruesi duhet ta konsiderojë kapacitetin e përgjithshëm të kërkuar nga aplikanti si të rezervua dhe nuk mund t’ua japë pjesëmarrësve të tjerë në tregun e gazit.
Pasi palët të kenë negociuar kushtet dhe grafikun e saktë të alokimit të kapaciteteve, sasia e kërkuar e gazit do të konsiderohet si e ndarë dhe duhet të jetë e garantuar plotësisht nga zotëruesi i gazsjellësit.
Vendimi parashikon edhe rastet kur mund të refuzohet aksesi në rrjetet e gazsjellësve. Ato përfshijnë rastet kur palët nuk bien dakord për grafikun e shpërndarjes së gazit, kur sasia e kërkuar është më e madhe se ajo e disponueshme, kur aplikanti nuk pajtohet me kushtet kryesore tregtare, apo kur dhënia e aksesit pengon dhe krijon vështirësi në prodhimin e planifikuar të hidrokarbureve.
Çdo refuzim do të duhet t’i paraqitet i detajuar me arsyetimin përkatës aplikantit dhe ministrisë. Kjo e fundit ka të drejtën të japë opinionin e saj dhe kërkojë zgjidhje kur refuzimi i aksesit nuk konsiderohet i provuar si duhet.
A.H./SCAN
Si do të shpërndahet gazi i TAP në Shqipëri – Fieri dhe Vlora përfitojnë të parat. Në Shkodër dhe Kosovë pas 2030-ës
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.