Shifrat e legalizimeve – Në katër muaj u dhanë mbi 10 mijë leje nga ALUIZNI

Mbi 10 mijë familje që kanë ndërtuar në informalitet dhe janë në proces legalizmi kanë arritur të marrin lejen në katër muajt e parë të vitit 2017.
Shifrat zyrtare të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale tregojnë se totali i lejeve të dhëna është 10 266 ndërkohë që objektivi të paktën për vitin 2017 është të legalizohen 40 mijë ndërtime informale.
Procesi i legalizimit vijon tashmë prej vitesh, por qeveria Rama ndryshoi tërësisht kornizën ligjore për mënyrën e pagesës dhe procedurave duke vënë theksin tek përshpejtimi por në fakt ecuria e deritanimshme ka treguar se do të duhen edhe disa vite të tjera për ta përmbyllur.
Ministria e Zhvillimit Urban e ka klasifikuar procesin e legalizimeve brenda programit që lidhet me planifikimin urban dhe strehimin dukë vënë si objektiv që të bëhet realizim 100 për qind i procesit të legalizimit dhe përpunimit të informacionit tekniko-ligjor për objektet e kualifikuara deri në fund të vitit 2018.
Në fakt deri në fund të 2016 numri i objekteve të legalizuara kap shifrën 100 mijë nga 450 mijë të vetëdeklaruara.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.