Shifrat modeste të energjisë diellore / Shifrat për 4-mujorin: Impiantet diellore prodhuan 0.27% të energjisë totale
Të dhënat e prodhimit të energjisë nga impiantet fotovoltaike mbeten modeste, në raport me energjinë totale të prodhuar kryesisht nga hidrocentralet, teksa për 4-mujorin e parë të këtij viti sasia e prodhuar nga dielli arriti në 0.27% të totalit. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, në total në periudhën janar-prill u prodhua 11 709 MWH energjisë, nga 4,343,003 Mwh energji totale, që u prodhua gjatë kësaj periudhe nga të gjithë burimet gjeneruese në vend. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i impianteve që prodhojnë energji nga dielli është 11, ndërkohë që gjatë këtij viti nuk ka hyrë në prodhim asnjë impiant i ri. Megjithatë, ndonëse kjo sasi është tejet e ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrocentralet, ajo merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi, vendi ynë është i varur nga energjia e prodhuar nga uji, çka në periudha thatësirash pasohet me fatura tejet të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore. Kështu, gjatë vitit 2020 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektike shpenzuar rreth 118 mln euro për blerjen e energjisë. Ndërkaq, ajo që pritet të sjellë një impakt të madh në këtë drejtim është pikërisht ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe ai i Spitallës, që në total do të kenë me një fuqi të instaluar prej 240 MW.
Ola Mitre – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.