Shiten pronat e firmave piramidale – Ministria e Financave nxjerr në ankand pronat e firmës Leka

Ministria e Financave vijon të shesë në ankande pronat e ish-firmave piramidale.
Televizioni SCAN ka mësuar se, ankandi i radhës do të zhvillohet më 8 gusht për shitjen e disa pasurive të firmës Leka.
Bëhet fjalë për një ndërtesë dhe një truall të firmës Leka, me sipërfaqe përkatësisht 311 metra dhe 17 mijë metra katrorë. Vlera e ndërtesës sipas Ministrisë së Financave llogaritet 9 milionë lekë, ndërsa vlera e truallit 17 milionë lekë.
Në fund të vitit të shkuar, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike pranë Ministrisë së Financave nxori në shitje edhe disa prona të tjera të ish-firmave piramidale, mes të cilave binin në sy disa pasuri të Vefës, Kamberit dhe Xhaferrit. Bëhej fjalë për apartamente, dyqane, ashtu si dhe një pulari e firmës Kamberi.
Pasuritë në fjalë, janë të paktat që kanë mbetur pas konfiskimit të pronave të ish-firmave piramidale dhe ndarjes së një pjese prej tyre.
Skemat piramidale në Shqipëri filluan aktivitetin e tyre në vitin 1991, duke sjellë si pasojë vitin tragjik, 1997, me falimentimin e rreth 25 firmave të cilat grumbulluan rreth 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.