Shitja e energjisë – KESH përmirëson financat, siguron mbi 4.5 mln euro
Mbi 4.5 milion euro është fitimi i Korporatës Elektroenrgjetike Shqiptare nga shitja e energjisë nga data 29 nëntor deri në 18 dhjetor. Por kjo shumë pritet të jetë shumë herë më e lartë për gjithë muajin dhjetor, duke qenë se KESH ka hapur edhe një procedurë tjetër shitje për periudhën 14-31 dhjetor, ku planifikon të shesë një sasi prej 213.000 kWh.
Reshjet e shiut, shtuan prurjet në Kaskadën e Drinit, ndërkohë që deri më tani janë përfunduar 5 procedura të shitjes së energjisë, duke u reflektuar në rritjen e të ardhurave të kompanisë. Nga 3 operacionet e para të shitjes, KESH siguroi rreth 2.2 milion euro, ndërkohë që në procedurën e katërt u arrit shitja e 14.000 mwh, duke siguruar rreth 705.000 euro.
Fitimi më i madh u sigurua në shitjen e fundit, çka i siguroi kompanisë mbi 1.7 milion euro të ardhura. Pas një periudhe të gjatë thatësire, ky është një lajm i mirë për korporatën, duke qenë se bilanci 9 mujor i kompanisë doli me humbje. Sipas të dhënave zyrtare nga KESH, për periudhën janar-shtator kompania regjistroi humbje prej 4.2 miliard lekë, ndryshe nga viti i kaluar ku u regjistrua një bilanc pozitiv prej 1.7 miliardë lekësh.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.