Shitja e gazit – ISHTI, masa për 14 subjekte, 3 milionë lekë gjoba
Përgjatë muajit tetor Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjobitur 14 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike.
Numri i masave administrative ka pësuar një rënie në krahasim me muajin shtator, ndërkohë që në raport me gushtin, ku u shënua një numër ‘rekord’ prej 62 gjobash, rënia e penalizimeve është edhe më e lartë.
Vetë ISHTI njoftoi gjatë verës intensifikimin e kontrolleve, pas shpërthimit të një depozite gazi në një kompleks turistik në Velipojë, çka u reflektua edhe në numrin e subjekte të penalizuar. Por, referuar masave administrative të 2 muajve të fundit, duket se ky institucion i është rikthyer aktivitetit normal, në drejtim të trendit të gjobave.
Ndërkaq, sa i takon masave administrative për tetorin, vlera totale e tyre është rreth 3 milion lekë, ndërkohë që kjo shifër për shtatorin ishte 4.2 milion lekë, ndërsa në gusht 16.9 milion lekë. Shkeljet e konstatuar për tetorin lidhen kryesisht me mungesën e dokumentacionit, mungesën e Projektit Teknologjik të rezervuarit të gazit apo edhe mbushje bombolash për përdorim familjar në kundershtim me ligjin.
Për periudhën kohore janar-shtator Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka vendosur në total 138 subjekte, por pjesa dërrmuese e tyre i takojnë muajit korrik dhe gusht me 112 gjoba.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.