Shitja e NBG – Merr “bekimin” e Autoritetit të Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar blerjen e NBG Bank Shqipëri nga Banka Amerikane e Investimeve, ABI Bank. Me një vendim të datës 15 mars, Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se struktura e tregut bankar pas përqendrimit nuk do të përbëjë problematikë për konkurrencën në treg, pasi pjesa e tregut e dy bankave është shumë e vogël.
Në fund të shtatorit 2017, ABI Bank dhe NBG bank zotëronin secila rreth 2.8% të aktiveve të sistemit bankar në Shqipëri. Pas blerjes, pjesa e ABI Bank në treg shkon në rreth 5.7%, duke u renditur banka e gjashtë për nga madhësia në tregun bankar shqiptar. Banka Kombëtare e Greqisë do të largohet nga tregu shqiptar, si rrjedhojë e impenjimeve që ka marrë me Bankën e Greqisë dhe Bankën Qendrore Europiane, në kuadër të planit të saj të rimëkëmbjes dhe rifokusimit strategjik.
Vlera e transaksionit nuk është bërë publike nga palët, por besohet se operacioni kishte shifrën e rreth 25 milionë eurove. ABI Bank po ndjek një zgjerim të shpejtë në tregun shqiptar, që nga viti 2015 kur grupi NCH Capital bleu filialin shqiptar të bankës franceze Credit Agricole. Pa u mbushur tre vjet nga kjo blerje, ABI Bank realizoi një operacion të ngjashëm, me blerjen e NBG Bank Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.