Shitja e “Veneto Banca” – Miratohet nga Autoriteti i Konkurrencës

Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës ka miratuar blerjen e “Veneto Banca” nga grupi “Intesa Sanpaolo”. Në vendimin e publikuar të martën, Komisioni i Konkurrencës ka konstatuar se ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në tregun shqiptar, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.
Në mesin e këtij viti, Intesa Sanpaolo Shqipëri zotëronte 11.25% të aktiveve të sistemit bankar, ndërsa Veneto Banka një pjesë modeste prej 1.8%. Pas bashkimit, pjesa e përbashkët e tregut arrin më rreth 13%, larg të qenit një pozitë dominuese në tregun bankar.
Autoriteti i Konkurrencës ka argumentuar se transaksioni, i realizuar për çmimin simbolik 1 euro, ishte i detyrueshëm për të shmangur pasojat serioze që do të kishin rrjedhur nga procedurat e likuidimit të detyrueshëm administrativ të grupit Veneto Banca në Itali.
Finalizimi i blerjes së grupit Veneto Banca nga Intesa Sanpaolo do të kërkojë ende miratimin e autoriteteve rregullatore në të gjitha vendet ku grupet kanë aktivitet me filiale të tyre.
Në Shqipëri, pas Autoritetit të Konkurrencës, transferimi i aksioneve duhet të miratohet edhe nga Banka e Shqipërisë, sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.