Shitjet e biznesit – Rritje e dobët në tremujorin III
Indeksi i shitjeve të biznesit u rrit në përmasa zhgënjyese në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, në sektorin prodhues indeksi i shitjeve u rrit me vetëm 2.2% me bazë vjetore, nga afro 7% që kishte qenë rritja në tremujorin e mëparshëm.
Pasi u mbështet nga rritja e përgjithshme e shpenzimeve gjatë tremujorit të dytë, që përkoi me zgjedhjet, tremujori i tretë ka sjellë një rënie të ndjeshme të ritmit të shitjeve.
Sipas Instat, shitjet në industrinë nxjerrëse u rritën me vetëm 0.8% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë, duke dhënë një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e dobët të shitjeve.
Ndërkohë, industria përpunuese raportoi një rritje të shitjeve me 2.9%, por edhe, në këtë degë, ritmet e rritjes ishin më modeste krahasuar me tremujorin e dytë. Në ndarjen sipas grupimeve industriale, bie në sy një rënie e ndjeshme e shitjeve të mallrave të konsumit, ndërsa rezultat pozitiv kanë pasur shitjet për mallrat e ndërmjetme dhe energjinë.
Sektori që vazhdon të ketë ritmet më të larta të rritjes është ndërtimi. Në tremujorin e tretë, shitjet në këtë sektor u zgjeruan me 19%, por edhe këtu rritje është larg nivelit prej 34% të tremujorit të mëparshëm.
Ndërsa dega me peshën më të lartë në ekonominë shqiptare, ajo e shërbimeve, për tremujorin e tretë regjistroi një rritje vjetore modeste me 1.2%. Kjo rritje reflekton kryesisht ecurinë e aktivitetit tregtar, që u rrit në të njëjtën masë me mesataren e sektorit.
Rritjen më të lartë kuptueshëm e regjistruan aktivitetet e lidhura direkt me turizmin. Aktiviteti i agjencive të udhëtimit raportoi një rritje vjetore të shitjeve me 24.4%, ndërsa ai i hotelerisë me 17.2%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.