Shitjet e biznesit – Rritje më e ulët në tremujorin e parë
Indeksi i shitjeve të bizneseve në ekonominë shqiptare u rrit me ritme të ngadalësuara në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Instat, veçanërisht sektorët prodhues shfaqën një rritje vjetore më të dobët krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Shitjet e industrisë u rritën 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në tremujorin e katërt të vitit të kaluar rritja kishte qenë tre herë më e lartë. Ndërkohë që industria përpunuese shfaqi një rritje të kënaqshme me 5.6%, në industrinë nxjerrëse shitjet ranë praktikisht në stanjacion, me vetëm 0.9% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Siç pritej, në sektorin e energjisë elektrike shitjet pësuan rënie, me 7.2% më pak krahasuar me një vit më parë, për shkak të keqësimit të kushteve hidrike dhe rënies së prodhimit. Edhe në sektorin e ndërtimit rritja e shitjeve u ngadalësua ndjeshëm. Sipas Instat, shitjet e u rritën me vetëm 4.4%, ndërsa në tremujorin e fundit 2018 ishin rritur gati dy herë më shumë.
Një rritje më e ngadaltë e shitjeve vërehet edhe në shumicën e sektorëve të shërbimeve. Degë që vitin e kaluar kishin regjistruar rritje mjaft të lartë, si transporti apo hoteleria, për tremujorin e parë të këtij viti janë rritur me rime më të përmbajtura, njëshifrore. Megjithatë, sektori me peshën kryesore, tregtia, u rrit me ritme lehtësisht më të larta krahasuar me tremujorin paraardhës.
Indeksi i shitjeve është një tregues orientues për ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto. Një rritje e më e ngadaltë e shitjeve ka gjasa të reflektohet në ritme më të ulëta të rritjes së prodhimit kombëtar. Të dhënat e rritjes ekonomike për tremujorin e parë do të publikohen nga Instat në fillim të muajit korrik.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.