Shitjet e biznesit – “Shpërthen” energjia, dobët tregtia
Indeksi i shitjeve në sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare u rrit me 5.2% në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, rritja e shitjeve u mbështet sidomos në prodhimin e lartë të energjisë elektrike, por edhe në një përmirësim të ndjeshëm në aktivitetin e industrisë përpunuese. Në sektorin energjetik, shitjet u rritën me afro 50%, falë kushteve të favorshme hidrike për prodhimin e energjisë, ndërsa industria përpunuese regjistroi një zgjerim të shitjeve prej afro 11% krahasuar me tremujorin I 2017.
Ndërkohë, industria nxjerrëse vazhdon të shfaqë paqëndrueshmëri dhe shitjet në tremujorin e parë të vitit pësuan rënie me 3.7%. Tendenca e shitjeve ishte mikse edhe në sektorin e shërbimeve. Aktivitete si hoteleria dhe transporti regjistruan rritje dyshifrore të shitjeve, përkatësisht me 21% dhe 10%. Ndërkohë, në tregti, që është aktiviteti me peshën kryesore, shitjet u rritën me vetëm 1.6%.
Rritja mjaft të ulët regjistroi edhe segmenti i komunikimit dhe informacionit, ndërsa aktivitetet e shërbimeve profesionale dhe agjencitë e udhëtimit kanë pësuar rënie të shitjeve. Këto të dhëna tregojnë se përtëritja e ekonomisë ende nuk është shumë e qëndrueshme dhe uniforme. Ecuria e shitjeve jep një orientim edhe lidhur me ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto.
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit do të publikohen nga Instat në fund të këtij muaji. Projeksionet për rritjen ekonomike këtë vit parashikojnë një rritje të përafërt me nivelin prej 3.8% të vitit të kaluar, madje institucionet e specializuara jashtë vendit parashikojnë një rritje ekonomike disi më të ulët, kryesisht për shkak të uljes së volumit të investimeve në disa projekte të mëdha infrastrukturore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.