Shitjet e iPhone rriten sipër pritshmërive, konsumatorët presin iPhone 8

Apple ka raportuar një rritje më të madhe se sa pritej të shitjeve të produktit kryesor iPhone në tremujorin e katërt 2016.
Megjithatë, për tremujorin aktual, kompania pret që të ardhurat të bien pasi konsumatorët po presin iPhone 8 këtë vit, që shënon 10-vjetorin e krijimit të produktit. Aksionet e kompanisë u rritën me 2.6% pas publikimit.
Apple ka shitur 78.29 milionë iPhone në tremujorin që kaloi, në rritje nga 74.78 milionë që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë, duke shënuar rritjen e parë me bazë tremujore në një vit.
Rezultatet, që reflektojnë tremujorin e parë të plotë të shitjeve të iPhone 7, vijnë në një kohë kur kërkesa globale për smartphone po ngadalësohet dhe ndërsa alternativa më të lira me sistem Android po futen në treg.
Biznesi i shërbimeve i Apple, që përfshin App Store, Apple Pay dhe iCloud, regjistroi një rritje me 18.4% në të ardhura, nxitur nga lojëra si Pokemon Go dhe Super Mario Run, si dhe prej numrit më të madh të nënshkrimeve.
Të ardhurat u rritën me 3.3% në 78.5 miliardë dollarë në tremujorin që përfundoi më 31 Dhjetor. Fitimi neto i kompanisë ra në 17.89 miliardë dollarë, apo 3.36 dollarë për aksion (EPS), në tremujorin e katërt 2016, nga 18.36 miliardë dollarë që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.