Shitjet e makinave në Europë bien me 2% – Markat aziatike më mirë se ato gjermane e italiane

Regjistrimet e automjeteve në Europë gjatë muajit Shtator ranë me 2%, për një total prej 1,427,105 veturash. Megjithatë shifrat krahasuese, ato të Shtatorit 2016 shënojnë rekordin historik të shitjeve.
Momenti i mirë në disa prej tregjeve kryesore në BE po fillon të ngadalësohet, sidomos në Mbretërinë e Bashkuar (-9,3%) dhe në Gjermani (-3.3%). Megjithatë këto rënie janë zbutur disi nga performanca e qëndrueshme e tregut italian dhe atij spanjoll, në rritje përkatësisht me 8,1% dhe 4,6%.
Grupi i Volkswagen regjistroi një rënie me 0,9% të shitjeve, ndikuar nga performanca negative e dy markave kryesore Volkswagen dhe Audi, të dyja me mbi 3% më pak automjete të shitura se Shtatori i shkuar.
Edhe për prodhuesin tjetër gjerman, Daimler, shitjet u ulën me 1,2%. Ndonëse Mercedes arriti të shiste të njëjtin numër automjetesh sa një vit më parë, rënia e preferencave për SMART me 11,7%, ndikoi në shitjet totale të kompanisë.
Grupi francez PSA, i cili bleu Opel në fillim të vitit regjistroi një rënie të lehtë për markat Opel dhe Peugeot, ndërsa Citroen pati një përmirësim me 1,6%.
Më mirë ka performuar edhe grupi Renault, por jo falë markës së saj kryesore, e cila shënoi rënie me 1,2%. Për këtë grup, ndikoi në rritjen performanca e mirë në shitje e automjeteve Dacia dhe Lada.
Në grupin italian FCA shitjet u ulën me 1.3%, ndikuar nga ulja në preferenca për markat Fiat dhe Lancia/Chrysler. Nga ana tjetër, shitjet e markës Alfa Romeo u rritën me 14,4%, ndërsa edhe Jeep shënoi rritje.
Por nga rënia e markave europiane duket se kanë përfituar prodhuesit aziatikë, që kanë rritur prezencën në tregun europian. Toyota u rrit me 3%, Nissan me 3,4%, Hyundai me 2%, KIA me 6,5% dhe Suzuki me 18,5%.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.