Shitjet e makinave në Europë – Rimëkëmben në Maj, grupi VW i rikthehet rritjes

Shitjet e makinave në Europë janë rikthyer në rritje gjatë muajit Maj, ndërkohë që përmirësimi i perspektivës ekonomike dhe stabiliteti politik në Francë, ka nxitur sektorin që të rikthehet në rimëkëmbje.
Regjistrimet e reja në të gjithë industrinë, u rritën me 7.7% në muajin Maj, duke prekur 1.43 milionë automjete, pas rënies me 6.8% në Prill, raporton Shoqata e Prodhuesve Evropian të Makinave (ACEA) me seli në Bruksel. Kërkesa u rrit për modelet 500 dhe Panda të Fiat, si dhe prej modelit E-class të Mercedes-Benz. Besimi i Konsumatorit u rrit në nivelet më të larta në 1 dekadë në Eurozonë, prej fitores së Emmanuel Macron që përfundoi tensionet politike në Francë.
Shitjet e makinave në Gjermani patën rritjen më të fortë ndër ekonomitë e mëdha të bllokut, me 13% rrije të regjistrimeve. Shitjet në Francë u rritën me 8.9%, ndërsa kërkesa në Itali u rrit me 8.2% gjatë muajit Maj me bazë vjetore.
Mbretëria e Bashkuar, e goditur nga pasiguritë politike prej Brexit dhe paundi i zhvlerësuar, pati një rënie me 8.5% të regjistrimeve në muajin Maj nga e njëjta periudhë një vit më parë. Ndër prodhuesit, shihet një rimëkëmbje e liderit në treg, Volkswagen, pasi ka dërguar 348,755 automjete në Maj, 8.4% më shumë se 1 vit më parë. Kjo solli zgjerimin e pjesë së tregut në 24.3% për muajin, nga 24.2% që ishte në të njejtën periudhë një vit më parë.
Sfiduesi kryesor i Volskwagen, Peugeot-Citrën, që kontrollon 16% të tregut të rajoni pas blerjes së Opel nga General Motors, pati një rritje modeste prej 4.8%, ndërsa kërkesa për Opel ra me 1.8%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.