Shitjet e makinave në Europë – Rriten me 11%, Fiat dhe Renault lënë pas VW e Peugeot-Citroën

Shitjet e makinave europiane për muajin Mars janë rritur në nivele rekord, ndërkohë që Fiat Chrysler dhe Renault kanë përfituar nga gjendja e qëndrueshme ekonomike për të tërhequr më shumë blerës.
Regjistrimet në këtë industri u rritën me 11% në 1.94 milionë automjete në muajin e kaluar, raporton Shoqata e Prodhuesve Europianë të Makinave(ACEA) me seli në Bruksel.
Fiat dhe Renault kanë fituar pjesë tregu në kurriz të liderit rajonal Volkswagen. Rënia e papunësisë dhe 15 tremujorë radhazi të rritjes ekonomike në rajon, kanë nxitur besimin e konsumatorit në Europë, duke rritur kërkesën për makina.
Edhe Britania, tregu i dytë më i madh pas Gjermanisë, i ka rezistuar ngadalësimit të Brexit ndërkohë që shitjet në vend u rritën me 8.4% muajin e kaluar. Norma vjetore e shitjeve në Europën Perëndimore qëndron në nivelet më të larta që prej fillimit të 2008-ës.
Gjermania, tregu më i madh në Europë, rezultoi në një rritje me 11% në Mars. Regjistrimet në Francë, u rritën me 7% ndërsa në Itali me 18%. Shoqata e Prodhuesve Europian të Makinave i merr të dhënat nga 28 vendet e BE përfshirë Zvicrën, Norvegjinë dhe Islandën.
Shitjet e Volkswagen dështuan të mbajnë ritmin e tregut të gjerë, duke u rritur me 6.2% në Mars. Kjo bëri që pjesa në treg të bie në 21.4% nga 22.4 që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë. Prodhuesi tjetër Peugeot-Citroën, që bleu përpara 2 muajsh markën Opel nga General Motors, pati një tkurrje të pjesës në treg në 16.1% nga 16.9%, duke treguar konkurrencën e fortë në rajon.
Fiat-Chrysler, kryesisht me makinat Jeep Renegade dhe Fiat 500X, ka patur një rritje të pjesës në treg në 6.8% nga 6.3%.
Renault, me fuoristradën Captur dhe Scenic, ka rritur gjithashtu pjesën e tregut në rajon në 9.5%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.