Shitjet e makinave në Europë – Rriten ndjeshëm në Shkurt, nxitur nga PSA dhe kërkesa e fortë gjermane
Shitjet e makinave në Europë janë rritur gjatë muajit Shkurt, nxitur rritja e madhe e shitjeve të grupit francez, Peugeot-Citren, kërkesa e fortë në Gjermani dhe Francë, që janë tregjet kryesorë, si dhe shifrat pozitive për Spanjën e Holandën. Regjistrimet janë rritur në 1.16 milionë makina gjatë Shkurtit në Bashkimin Europian dhe vendet e Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), nga 1.11 milionë që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Thuajse të gjithë tregjet kryesorë në Europë treguan rritje, përveç Britanisë, ku shitjet ranë me 2.8% dhe treguan rënie për të 11-in muaj radhazi, sipas Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Makinave në Bruksel. Në Gjermani, që është tregu më i madh, shitjet janë rritur me 7.4%, ndjekur nga Franca me 4.3%. Ndër vendet, rritjen më të madhe në përqindje e ka pasur Kroacia, me 46.8%, por kjo është ekuivalente me 1,226 automjete të reja nga Shkurti 2017, krahasuar me 18,147 në Gjermani.
Shitjet e Peugeot-Citroen janë rritur me 67.2% me bazë vjetore, por këtu përfshihen edhe shitjet e Opel, që nuk e ka mbushur vitin te grupi francez. Ndër markat, Peugeot ka patur rritjen më të madhe me 15.7%, ndjekur nga Volkswagen, me 8.1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.