Shitjet e makinave në Europë – Rriten në Shkurt, pavarësisht rënieve në markat e mëdha

Shoqata e Prodhuesve Europian të Makinave (ACEA), raporton se shitjet e makinave të reja në rajon janë rritur me 2.1% për muajin Shkurt, pavarësisht shitjeve më të pakta në tregje të mëdha si Gjermania.
Markat e mëdha si Volkswagen, Opel-Vauxhall dhe Peugeot, publikuan gjithashtu një rënie.
Shitjet e Makinave në Bashkimin Europian dhe në vendet anëtare të Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë, arritën në 1,114,443 automjete, falë një rritjeje me 6.2% të shitjeve në Itali, 15% në Holandë dhe 0.2% në Spanjë.
Tregjet e mëdha, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, patën një rënie në shitje prej 2.6%, 2.9% dhe 0.4% në mënyrë respektive, në një muaj që ka qenë tradicionalisht i pakët në shitjen e automjeteve. Shitjet e grupit Volkswagen ranë me 7%, ndërsa Peugeot dhe Opel-Vauxhall, regjistruan një rënie me 3.7% dhe 1.2%.
Ndër markat me të dhëna pozitive ishin Fiat, me 8.3% rritje në shitjet e makinave dhe Renault me 5.3%.
Ndër markat e luksit, Mercedes-Benz regjistroi një rritje e 3.4% në shitjet për muajin Shkurt, duke tejkaluar rivalin Audi, që pati rritje me 2.2%. Ndërkohë, BMW, publikoi një rënie me 0.5%, tregojnë të dhënat e Shoqatës së Prodhuesve Europian të Makinave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.