Shitjet jashtë vendit – Përbëjnë 13% të xhiros së bizneseve shqiptare
Bizneset shqiptare realizojnë afërsisht 13% të shitjeve të tyre jashtë vendit, në formë eksportesh.
Të dhënat e Institutit të Statistikave, që i takojnë vitit 2017, tregojnë se ndërmarrjet që eksportojnë më shumë në raport me xhiron totale janë ato më të mëdha, me mbi 250 punonjës. Për këto ndërmarrje, eksportet përbëjnë afro 23% të shitjeve totale. Këtu një peshë të konsiderueshme zë sidomos industria nxjerrëse, ku prodhimi është i destinuar kryesisht për tregjet e huaja.
Edhe në numër, sipas Instat, sektori me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve eksportuese është industria nxjerrëse, ku mbi 24 % e ndërmarrjeve aktive eksportojnë. Aftësia për të shitur në tregjet e huaja bie gradualisht në proporcion me madhësinë e ndërmarrjeve. Kështu, ndërmarrjet e mesme, që sipas klasifikimit të Instat janë ato me 50-249 të punësuar sigurojnë 19% të xhiros nga eksporti. Ndërmarrjet e vogla, me 10 deri në 49 të punësuar faturojnë jashtë rreth 7% të xhiros, ndërsa mikrondërmarrjet me më pak se 10 të punësuar eksportojnë afërsisht 3% të xhiros totale.
Mbështetur në të dhënat e tregtisë së jashtme, për vitin 2017 Shqipëria kishte eksportuar rreth dy miliardë euro mallra jashtë vendit. Peshën kryesore e mban sektori i tekstileve dhe këpucëve, me 43% të totalit, i ndjekur nga grupet minerale, lëndë djegëse energji dhe materiale ndërtimi e metale, me 16% secili.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.