Shitjet me pakicë – Rritja dobësohet në tremujorin e parë

Rritja e shitjeve me pakicë u zbeh ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 2.5% me bazë vjetore, rritje kjo ndjeshëm më e ulët në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur kishte qenë 8.2%.

Edhe këtë tremujor një diferencë të konsiderueshme e kanë bërë shitjet me pakicë të hidrokarbureve, që në tremujorin e parë u rritën me 3.8%, në rënia nga rritja 10.6% e fundit të vitit të kaluar.
Kjo reflekton kryesisht një frenim të rritjes vjetore të çmimeve në tregtinë e karburanteve.
Megjithatë, edhe pa hidrokarburet, rritja e indeksit të shitjeve ishte mjaft modeste, me 2%, nga 6.8% që kishte qenë në tremujorin e fundit 2016.
Ndikimin kryesor e ka dhënë rënia e indeksit të shitjeve për produktet ushqimore, me 0.3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shitjet e produkteve jo-ushqimore u rritën me 3.3%, por, edhe në këtë segment, bëhet fjalë për rënie nga niveli 8% i rritjes që u regjistrua në tremujorin e fundit 2016.
Dobësimi i rritjes së shitjeve me pakicë në tremujorin e parë të vitit vjen pas një serie të gjatë pozitive gjatë vitit 2016.
Sidoqoftë, pritshmëritë këtë vit janë për një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike në 3.8%, mbështetur edhe nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.