Shitjet me pakicë – Rritje modeste edhe në tremujorin e katërt 2017
Shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rritën në përmasa modeste edhe në tremujorin e fundit 2017. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 1.3% me bazë vjetore.
Kjo rritje është lehtësisht më e lartë krahasuar me tremujorin e tretë, por sidoqoftë konfirmon një zbehje të ndjeshme të rritjes së shitjeve në ekonominë shqiptare gjatë vitit të kaluar.
Edhe në muajt e fundit të vitit 2017 diferencë të konsiderueshme e kanë bërë shitjet me pakicë të hidrokarbureve, që në tremujorin e katërt ranë me 5.2% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Nëse përjashtojmë hidrokarburet, rritja e indeksit të shitjeve ishte 3.5%, rritje e ngjashme me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet ushqimore, me 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zbehja e rritjes së shitjeve me pakicë gjatë vitit 2017 vitit ka qenë disi e papritur, po të kemi parasysh parashikimet e institucioneve të specializuara për një përmirësim gradual të konsumit.
Megjithëse një faktor me peshë të konsiderueshme ka qenë lëvizja në rënie e çmimeve të karburanteve, edhe po të përjashtojmë këtë grup, rritja e shitjeve nuk po shfaq përmasa mbresëlënëse.
Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi.
Që në gjysmën e dytë të vitit 2017, kontributi i investimeve dhe i eksporteve në rritjen e ekonomike është zbehur, ndaj, në një masë të madhe, përtëritja e konsumit do të jetë përcaktuese në ruajtjen e ritmeve të rritjes ekonomike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.