Shitjet me pakicë – U rritën me 3.2% në fund të vitit 2018
Shitjet me pakicë u rritën sërish në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 3.2% krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm rritja ishte më e ngadaltë, ndërsa një kontribut në rritje dhanë shitjet e karburanteve. Ato regjistruan sërish një rritje të lartë, me 5.2% më shumë krahasuar një vit më parë. Duke përjashtuar hidrokarburet, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit me 2.7%, nga 3.1% që kishte qenë rritja në tremujorin e tretë.
Ndryshe nga tremujori i tretë, ku rritja e tregtisë me pakicë erdhi sidomos nga produktet ushqimore, në tremujorin e katërt rritja e shitjeve ishte më e ekuilibruar. Përkatësisht, shitjet e produkteve ushqimore u rritën me 2.7%, ndërsa ato jo ushqimore me 2.4%. Ngadalësimi i shitjeve me pakicë dhe në veçanti ulja e kontributit të shitjeve të produkteve ushqimore tregon se ndoshta në tremujorin e tretë rritja e tregtisë me pakicë ishte ndikuar shumë nga sezoni turistik.
Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi. Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total. Rritja e shitjeve me pakicë tregon një tendencë në përmirësim të konsumit privat, i mbështetur nga ulja e papunësisë, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë për këtë qëllim.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.