Shkel rregullat e vetë-karantinimit – Policia gjobit me 700 mijë lekë një shtetase pozitive me COVID-19
Policia E shtetit ka bërë me dije se ka ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë një shtetase pozitive me COVID-19, pasi shkeli rregullat e vetë-karantinimit.
Sipas njoftimit në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në banesat e personave të prekur nga COVID-19, me qëllim respektimin me rigorozitet të vetë-karantinimit, si dhe në subjekte të ndryshme, për respektimin e protokolleve të sigurisë.
Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur nga COVID-19 dhe gjithashtu në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.
Sipas Policisë nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se shtetasja E. Z., 37 vjeçe, e cila është infektuar nga COVID-19, kishte shkelur rregullat e vetë-karantinimit dhe kishte dalë jashtë banesës, duke u bërë burim infektimi për personat e tjerë ndaj në zbatim të Aktit Normativ, për këtë shtetase, Policia e Beratit ka vendosur masë administrative 700.000 lekë.
Policia u bën thirrje të gjithë personave të prekur nga COVID-19, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e vetë-karantinimit, të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.