Shkelje me rimbursimin e TVSH-së – KLSH: U pagua më shumë se planifikimi, nuk janë respektuar afatet
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton shkelje me procedurën e rimbursimit të TVSH-së për bizneset nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin që lam pas. Në raportin auditues mbi “zbatimin e buxhetit të shtetit 2019”, KLSH vë në dukje se Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT ka paguar rimbursim më tepër se fondet e planifikuara në shumën 4,5 miliardë lekësh ose ka tejkaluar fondet e parashikuara për rimbursim në masën 23.73 % të parashikimit vjetor të rimbursimit, veprime këto në kundërshtim me nenin 14 të ligjit “Për procedurat tatimore në RSH”.
Konkretisht rimbursimi për vitin 2019 u planifikua në 19 miliardë lekë, dhe u realizua në 23.5 miliardë lekë. Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit, konstaton shkelje të afateve të rimbursimit kundrejt bizneseve. Sipas raporti, për eksportuesit me risk zero, me përjashtim të kërkesave te paraqitura në muajin dhjetor, pagesat për rimbursim nuk janë rimbursuar automatikisht brenda 30 ditëve kalendarike ose janë rimbursuar me 36-144 ditë-vonese.
Nga auditimi rezulton se në kërkesat e miratuara për eksportuesit me risk zero konstatohet se i njëjti tatimpagues here klasifikohet si eksportues me risk zero dhe here si eksportues të tjerë. Ndërsa për për kategoritë rieksportues të mallrave jo shqiptare ose fason, për periudhën Janar–Qershor 2019, për shumat e miratuara për rimbursim, sipas metodës FIFO, konstatohet se nuk është zbatuar radha në kryerjen e pagesave, në shkelje të legjislacionit në fuqi. Vonesa në rimbursim ka pasur edhe për grumbulluesit për eksport apo tatimpaguesit e mëdhenj.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.