Shkeljet e institucioneve në tenderë – Kuvendi, KPP-së: Referoni rastet për vendosjen e gjobave
Kuvendi i kërkon Komisionit të Prokurimit Publik të tregohet më i ashpër me masat që duhet të ndërmerren ndaj institucioneve shtetërore në rastet kur kostantohen shkelje në vendime apo vonesa në dërgimin e dokumentacionit gjatë procedurave tenderuese. Në rezolutën e miratuar pak javë më parë, kërkohet specifikisht që masat të merren sipas natyrës së shkeljes, duke i referuar Agjencisë së Prokurimit Publik për marrjen e masave administrative sipas ligjit. Ky rekomandim vjen në një kohë kur në këtë institucion pati një zëvendësim të drjetueses Evis Shurdha, nga Jonaid Myzyri.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 10% e tenderëve të zhvilluar nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2019 janë ankimuar nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në garë. Sipas të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik, pranë këtij dikasteri u paraqitën 1052 ankesa teksa vlera e tyre arrinte në 30.4 mln lekë nga 110.6 mln lekë të prokuruara apo 27% e fondit limit të publikuar për prokurim.
Ndërkaq, nga ankesat e shqyrtuara 35.08% e tyre janë pranuar, 45.72 % janë ankesa të refuzuara dhe 19.2 % janë ankesat për të cilat është vendosur mosmarrja në shqyrtim, pushimi i hetimit administrativ ose anulimi i procedures. Ankesat e paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave zënë 80% të rasteve, ndërsa 20% janë ankesa për dokumentet e tenderit. Instuticionet me numrin më të lartë të ankesave ndaj procedurave tenderuese janë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara dhe Posta Shqiptare.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.