Shkeljet e mjekëve – Brahimaj: 18 ankesa për Tiranën, kemi edhe për mitmarrje
Për 7 muajt e parë të këtij viti, pranë Urdhrit të Mjekut, vetëm për rajonin e Tiranës janë depozituar 18 ankesa nga familjarë e pacientë. Objekt i ankesave janë shkeljet e etikës nga bluzat e bardha, ku bën pjesë edhe mitmarrja si dhe akuza për mjekim të pakujdesshëm. Të dhënat për TV SCAN bëhen me dije nga kreu i këtij institucioni, Fatmir Brahimaj, i cili shton se 11 prej tyre janë në proces analizimi.
“Normalisht ne i grupojmë në 2 probleme: në shkeljet e etikës mjekësore dhe në ankesa për mjekim të pakujdesshëm. Vetëm në Këshillin e Tiranës, për periudhën deri tani, kemi rreth 18 ankesa, prej të cilave 5 janë të zgjidhura në fazën e parë, pra thjesht nga ballafaqimi; 2 ankesa janë pezulluar nga ana jonë, sepse hera herës njerëzit krahas nesh i drejtohen edhe gjykatës, edhe bazuar në rregulloren tonë, ne nuk bëjmë gjykim paralel; ndërsa 11 të tjera janë pranë Këshillit duke u analizuar, pasi procedura kërkon kohën e duhur”, tha Brahimaj.
Referuar legjislacionit në fuqi, Brahimaj shton se penalizimi ndaj bluzave të bardha varion që nga vërejtja, gjobat në masën deri në 100 mijë lekë e deri te heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit.
“Masat janë të ndryshme, nga vërejtje me shkrim, gjoba të niveleve të ndryshme, deri në pezullim të licencës nga 1-3 vjet. Gjobat variojnë në shifra të ndryshme, deri në 1 milion lekë të vjetra për mjekun. Në këto gjykime që kanë mbaruar kemi shkuar deri tek vërejtja me shkrim, sepse edhe problemet kanë qenë të tilla”, shtoi Brahimaj.
Sipas kreut të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, numri i ankesave ka ardhur në rritje nga viti në vit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.