‘Shkëlqimi’ i fortë i arit: Vlerësohet me mbi 1.600 dollarë për onc – Palladiumi shënon rekord historik!
Tregjet financiare kanë filluar të dridhen përsëri prej Koronavirusi, ndërkohë që ari ka kapur vlerën e mbi 1.600 dollarëve për onc, më e larta në shtatë vjet. Ndërsa mes metaleve të çmuara ishte pikërisht Palladiumi ai që habiti me vlerën më të lartë, duke azhurnuar rekordin historik në 2.592 dollarë për onc në tregun e Londrës: një rritje e habitshme, duke pasur parasysh që Palladiumi është kryesisht i destinuar për përdorim industrial, konkretisht në marmitat e automjeteve me benzinë.
Ari, i cili nuk kishte arritur të thyejë pragun psikologjik prej 1.600 dollarë për onc që nga 8 janari, ka shkuar deri në 1,605 dollarë, një rritje prej më shumë se 1%, edhe pse dollari ka tërhequr edhe interesin si strehë e sigurt: kartëmonedha e gjelbër është rritur në nivele të larta prej 4 muajsh kundrejt monedhave kryesore. Obligacionet e qeverisë amerikane tërhoqën gjithashtu interesin e investitorëve. Rendimenti 10-vjeçar, i cili tenton të lëvizë në drejtim të kundërt me çmimin e arit, ra me 3.9 pikë bazë në 1.55%.
Performanca më spektakolare, megjithatë, është ajo e Palladiumit: çmimi është rritur ndjeshëm në raport me metalet e tjera të çmuara. Metali i marmitave, i cili vuan nga rritje e deficitit të ofertës, ishte lënda e parë më e vlerësuar në vitin 2019, duke regjistruar një rritje prej gati 60%. Që nga viti 2016, vlera e saj është pothuajse katërfishuar. Gjatë seancës së fundit përfituan gjithashtu edhe argjendi dhe platini, pasi të dyja u rritën me mbi 2%, përkatësisht mbi 18 dollarë dhe mbi 990 dollarë për një onc. (ilsole24ore)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.