Shkëmbimet tregtare me partnerët kryesorë të Shqipërisë – “Goditet” Italia, Turqia dhe Greqia
Pandemia ka goditur sidomos marrëdhënien me partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë, Italinë. Raporti më i fundit i Institutit të Statistikave tregon se Italia është shteti me të cilin vendi ynë ka pasur “lëkundjen” më të fortë në shkëmbimet tregtare, si përsa i përket eksportit, ashtu edhe importit. Edhe pse 2020 nuk është mbyllur ende, të paktën kjo është vijimësia e këtyre raporteve midis Shqipërisë dhe Italisë për 10 mujorin e vitit.
Referuar të dhënave të Instat, në periudhën janar – tetor 2019, eksportet drejt Italisë ishin në vlerën 121.8 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të këtij viti, kjo vlerë ra në 101.7 miliardë lekë. Thënë ndryshe, bëhet fjalë për një diferencë të ndjeshme me 20.1 miliardë lekë më pak eksporte nga 2019-ta.
16.6% më pak eksporte drejt Italisë, por edhe 11.7% më pak importe me partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë. (periudha janar – tetor 2020). Sipas shifrave të Instat, importet kanë rënë me 15.9 miliardë lekë, krahasuar me periudhën janar – tetor 2019. Në 10 mujorin e 2019-ës, Shqipëria importoi 137.1 miliardë lekë mallra nga Italia, ndërsa në 10 mujorin e këtij viti, importi nga vendi fqinj ra në vlerën 121.1 miliardë lekë.
Sa i takon shkëmbimeve tregtare me dy vendet e tjera fqinje, Greqi dhe Turqi, eksportet kanë qenë më pak të prekura, madje në rastin e Turqisë janë rritur, mirëpo një rënie e konsiderueshme është ndjerë te importet.
Raporti i Instat flet për një rritje me 339 miliardë lekë të eksporteve drejt Turqisë për periudhën janar – tetor 2020. Sipas këtyre shifrave, në janar – tetor 2019, Shqipëria ka eksportuar 1.7 miliardë lekë mallra drejt Turqisë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të këtij viti, kjo vlerë është rritur në 2.1 miliardë lekë.
Përsa i përket importeve, Turqia është vendi me të cilin ky shkëmbim tregtar është prekur më së shumti, pas Italisë. Sipas Instat, importet nga Turqia në janar – tetor 2020 kanë rënë me 4.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 10 mujorin e 2019-ës, Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 48.6 miliardë lekë, ndërsa në 10 mujorin e 2020-ës, kjo vlerë ra në 46.3 miliardë lekë. Konkretisht, 2.3 miliardë lekë më pak importe nga Turqia.
Nga ana tjetër, as shkëmbimet tregtare me Greqinë nuk i kanë “shpëtuar” COVID – 19. Instat tregon se eksportet me Greqinë kanë rënë me 4 milionë lekë në janar – tetor 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Sipas shifrave, në 10 mujorin e vitit të kaluar, eksportet drejt Greqisë ishin në vlerën 10.646 miliardë lekë, ndërsa në 10 mujorin e 2020-ës ranë në 10.642 miliardë lekë.
Megjithatë, importet nga Greqia kanë rënë me 2.6 miliardë lekë. Nga 46.6 miliardë lekë në janar – tetor 2019, importet rezultuan në 44 miliardë lekë në janar – tetor 2020.
Thënë kjo, Greqia plotëson zinxhirin e shteteve kryesore me të cilat Shqipëria ka pasur rënien më të madhe të importeve, ku kryesonte Italia, me 11.7 %, Turqia, 4.6 % dhe Greqia me 5.7%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.