Shkencëtarët duan të ushqejnë lopët me leshterikë deti – Ulin ndjeshëm emetimet e gazrave në atmosferë

Kalifornia po kërkon të reduktojë gazrat serë që gjenerohen nga lopët dhe duket se do ta bëjnë këtë duke shtuar në dietën e gjedhëve leshterikë deti.
Zbulimet e para të shkencëtarëve kanë treguar se leshterikët mund të ndihmojnë industrinë ushqimore të reduktojë emetimet e metanit deri në 30%. Gazi, i cili çlirohet nga lopët, është një ndotës i madh i klimës, për shkak se konsiderohet të paktën 25 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit në mbajtjen e nxehtësisë në atmosferë.
Një lopë e vetme mund të lëshojë 70 deri në 120 kilogramë metan çdo vit, një sasi e barabartë me ndotjen e karbonit të një makine që përshkon mbi 12 mijë kilometra.
Në të gjithë Kaliforninë, lopët dhe kafshët e tjera blegtorale zënë deri në 60% të emetimeve të këtij gazi në atmosferë. Ndërkohë që landfillet, tubacionet e gazit dhe naftës, ujërat e zeza dhe industria janë përgjegjës për vetëm 35% të këtyre emetimeve.
Ekipi i shkencëtarëve nga Universiteti i Kalifornisë-Davis po prezantojnë rezultatet mbresëlënëse të studimit të tyre dhe presin që në verë të nisin testimet e mëtejshme me më shumë gjedhë.
Në testimet e para, leshterikët e detit zënë vetëm 1% të dietës ushqimore të lopëve, por studiuesit shpresojnë se nëse e rrisin këtë përqendrim në 2%, mund të ulin emetimet e metanit edhe përtej nivelit 30%. Duke qenë se një lopë konsumon zakonisht rreth 25 kilogramë ushqim në ditë, përzierja me leshterikë do të zinte vetëm 250 gramë.

Studimi tregon gjithashtu se kjo nuk ndikon në prodhimtarinë e qumështitë të lopës, çka është një lehtësim i madh për fermerët. Kjo mund të jetë një mënyrë për të shpëtuar industrinë e prodhuesve të qumështit, të cilët po përballen me detyrimin ligjor për të ulur me 40% emetimet e tyre.
Gjithsesi, leshterikët nuk janë ingredienti i vetëm që është testuar për të bllokuar mikrobet që jetojnë në stomakun e lopëve që krijojnë metan. Edhe hudhra duket se funksionin për të ulur lehtësisht ndotjen.
Në vijim, shkencëtarët do të testojnë nëse shija e qumështit ndryshon tek lopët që janë ushqyer me leshterikë. Nëse rezultatet janë pozitive, kjo mund të krijojë një industri të re, atë të kultivimit të leshterikëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.