Shkencëtari i Facebook: Syzet inteligjente do të zëvendësojnë celularët në vitin 2022

Prilli i vitit 2022 është data kur syzet inteligjente me realitet të zmadhuar do të mund të zëvendësojnë smartphone-in tuaj dhe do të bëhen mjeti juaj i përditshmërisë. Ky është parashikimi i Michael Abrash, shkencëtari në krye të kompanisë së blerë nga Facebook, Oculus Rift.
Rrjeti social e bleu Oculus në vitin 2014 për 2 miliardë dollarë dhe që prej atëherë ka rritur punën për pajisjet virtuale si dhe për syzet me realitet të zmadhuar.
Abrash mendon se syzet do të ngjajnë me ato të sotmet normale, do të jenë të lehta dhe të bukura, por me fuqinë për të rritur memorien e atij që i mban. Ato do të mund të përkthejnë menjëherë shkrime dhe tabela në gjuhë të huaj, do të eliminojnë zhurmat e bisedave të panevojshme pranë dhe madje do të mund të matin temperaturën e një foshnjeje me një shikim.
Me pak fjalë, vizioni i Abrash flet për supersyze.
Syzet nuk do ta izolojnë mbajtësin e tyre nga bota, por do të vendosin informacione dhe objekte virtuale në botën reale. Ky koncept quhet realitet i zmadhuar dhe është i ngjashëm me atë që përdor loja PokemonGo.
Deklaratat e shkencëtarit erdhën gjatë konferencës vjetore të Facebook.
“20 ose 30 vjet nga tani, unë parashikoj se të gjithë do të mbajnë syze të bukura, në vend të përdorin kudo smartphone. Këto syze do të ofrojnë realitet virtual, realitet të zmadhuar dhe gjithçka të ndërmjetme. Ne do t’i përdorim këto tërë ditën”, tha ai.
Por sipas tij, momenti kur këto syze do të bëhen të disponueshme nuk është aq larg. Sipas tij në më pak se 5 vjet, realiteti i zmadhuar do të ketë arritur një fazë zhvillimi shumë të lartë.
“Edhe kur të jemi në atë pikë, do të na duhen vite të tëra për të shfrytëzuar potencialin e RZ në maksimum, ashtu siç na u deshën dekada për të orientuar njerëzit tek kompjuterat dhe kjo teknologji të mbërrinte tek miliarda njerëz”, tha Abrash.
Aktualisht shumë kompani teknologjike kanë zhvendosur vëmendjen tek syze të tilla. Google Glass ishte një produkt i cili tentoi të popullarizonte syzet e zgjuara, por dështoi për faj të pamjes dhe performancës së dobët.
Microsoft po punon për Hololens dhe prezantimi i fundit ishte fantastik, por thjesht një kafshatë e vogël nga potenciali i Realitetit të Zmadhuar.
Pra pesë vjet është afati më optimist i Abrash, por Facebook duhet të nxitojë nëse nuk do që ndonjë kompani tjetër të shfrytëzojë këtë teknologji para saj.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.