Shkolla e mesme profesionale në Durrës drejt rikonstruksionit – Çelet tenderi i punimeve me fond 114.1 mln lekë
Pas hapjes së tenderave për rikonstruksionin e shkollave të mesme profesionale në Gjirokastër, Elbasan dhe Kavajë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hapur procedurat e prokurimit edhe për restaurimin e shkollës “Beqir Çela” në Durrës.
Fondi i vënë në dispozicion për rikonstruksionin e godinës kap vlerën e 114.1 milionë lekësh, ndërsa zbatimi i grafikut të punimeve përfshin një afat kohor prej 28 javësh nga nënshkrimi i kontratës.
E ndërtuar në vitin 1961, shkolla aktualisht ka të regjistruar 1525 nxënës dhe degët kryesore të saj janë: Autoagromekanika dhe Elektromekanika. Nga vlerësimi fizik i objektit janë konstatuar një sërë problematikash, ndaj edhe është parë e nevojshme edhe ndërhyrja në shumë elementë.
Kështu, nga detajet e investimit propozohet shembja e dy ndërtesave njëkatëshe dhe shfrytëzimi i territorit për ndërtimin e një godine dykatëshe, me ambiente laboratori për praktikë mësimore.
Po ashtu, projekti përfshin edhe një sistemim të ri të oborrit me terrene sportive të hapura, me shesh të shtruar me pllaka dekorative dhe me lulishte të mbjella me pemë, lule si dhe të pajisur edhe me stola.
Ndërkohë, është planifikuar njëkohësisht edhe ndërtimi i shkalleve si dhe rampave për personat me aftësi të kufizuar, si do të zëvendësohen të gjitha dyert e dritaret e shkollës. Një element shumë i rëndësishëm është edhe pajisja me sistemin elektrik, vendosja e prizave në çdo ambient, kryesisht në laboratore.
10 prilli është përcaktuar edhe si afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë të interesuar.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.